Mesfushorja e Spanjës, Aitana Bonmati, është duke u trajtuar në spital për shkak të meningjitit viral.
27-vjeçarja, e cila e fitoi “Topin e Artë” në dy vjetët e fundit, ka munguar në fitoren 3:1 ndaj Japonisë në miqësoren e zhvilluar në Leagnes të Spanjës të premten.
“Euro 2025” në Zvicër fillon të mërkurën, kurse Spanja luan ndaj Portugalisë në ndeshjen hapëse të Grupit B në Bernë të enjten.
Bonmati, e cila po ashtu e ka fituar çmimin si futbollistja më e mirë e vitit 2023 dhe 2024, ka shpërndarë një fotografi në Instagram duke e ndjekur ndeshjen ndaj Japonisë, nga shtrati i spitalit.
Ajo nuk stërviti të enjten dhe u dërgua në spital në Madrid të premten, ndërsa mjekët dhe Federata e Futbollit e Spanjës, e konfirmuan diagnozën më vonë.
“Të flasësh për meningjitin mund të jetë e frikshme por është duke u mbikëqyrur. Ajo është shumë e rëndësishme për ne. Duhet të presim se për sa kohë do të mungojë”, ka thënë selektorja Montse Tome.
Bonmati ka shënuar 30 gola në 78 ndeshje për Spanjën. Ishte prej lojtareve kryesore të Spanjës që e fitoi Kupën e Botës 2023 dhe Ligën e Kombeve vitin e kaluar.
Meningjiti është infeksion i membranave mbrojtëse që e mbështjellin trurin dhe palcën kurrizore. Mund të jetë infeksion i rrezikshëm nëse nuk trajtohet siç duhet.