Futboll

Forma e mirë e sulmuesve, shpresë për fitore ndaj Sllovenisë

Muriqi

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar me përgatitje për ndeshjen kundër Sllovenisë.

Sulmuesi Vedat Muriqi ishte ndër të parët që u paraqit të martën pasdite në fushën ku Kosova të premten e zhvillon ndeshjen e radhës kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Kosova do të përballet me sllovenët të premten nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”. Stadiumi pritet të jetë i stërmbushur në Prishtinë. Biletat për ndeshjen kundër Sllovenisë u shitën brenda tri orësh.

Me fitoren ndaj Suedisë, Kosovës i është kthyer shpresa për të siguruar të paktën pljeofin për Botërorin që vitin tjetër mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.

Në fitoren ndaj Suedisë kontribut të madh dha sulmuesi Vedat Muriqi.

Muriqi shënoi golin e 32-të me fanellën e Kosovës kundër Suedisë më 8 shtator. Lideri i pakontestueshëm i përfaqësueses shënoi golin për 2:0 në minutën e 42-të me asistim të sulmuesit Albion Rrahmani.

Dyshja Muriqi – Rrahmani, por edhe sulmuesi tjetër Fisnik Asllani kanë vazhduar me formë të mirë edhe në klubet e tyre përkatëse pas ndeshjeve me Kosovën në shtator.

Një javë pas kthimit nga grumbullimi me Kosovën, Muriqi shënoi dy gola në fitoren 3:2 të Mallorcas kundër Espanyolit. Gol i shënoi edhe gjigantit spanjoll, Atletico Madrid. Shënoi gol në barazimin 1:1. Në tri ndeshjet e fundit nuk arriti të realizoj, por nga Muriqi priten sërish gola nga Kosova. Muriqi 31-vjeçar ka katër gola në shtatë ndeshje për klubin spanjoll. Muriqi është bindshëm golashënuesi më i mirë i “Dardanëve”.

Pas asistimit për Muriqin, Rrahmani një javë më vonë asistoi edhe për bashkëlojtarin e tij në humbjen 2:1 të Sparta Pragës. Ai të dielën shënoi gol në barazimin 1:1 të Spartës në derbin e Pragës kundër Slavias.

Krahas Muriqit e Rrahmanit, në ndeshjen ndaj Suedisë u paraqit edhe sulmuesi i Hoffenheimit, Fisnik Asllani. Asllani kishte zëvendësuar Muriqin. Ai pati disa mundësi të mira, por i mungoi goli ndaj suedezëve. Megjithatë Asllani është tjetër zgjedhje për sulmin e Kosovës kundër Sllovenisë dhe Suedisë. Ka shumë gjasa të paraqitet para Rrahmanit. Bundesliga është nivel më i lartë se kampionati elitar i Çekisë.

Asllani pesë ditë pas grumbullimit me Kosovën shënoi dy gola në fitoren 4:2 të Hoffenheimit në Bundesligë. Shënoi një gol edhe në barazimin 1:1 kundër Freiburgut më 28 shtator.

Me gol në klubin e tij Fortuna Dusseldorf u kthye edhe Florent Muslija. Futbollisti Muslija luan po ashtu në ofensivë. Ai kishte realizuar më 14 shtator gol në fitoren 2:1 kundër Preuben Munsterit.

Ndërkohë ylli i ekipit të Kosovës, Edon Zhegrova, pasi kaloi telashet me lëndim, luajti me fanellën e Juventusit 33 minuta në Serie A dhe tre minuta në Ligën e Kampionëve.

Paraqitja e tij si zëvendësues u vlerësua lart në Itali dhe vetë trajneri i Juventusit, Igor Tudor.

Zhegrova e ka zhvilluar kundër Lituanisë më 18 nëntor të vitit të kaluar ndeshjen e fundit me fanellën e Kosovës. Ai në dhjetor të vitit të kaluar pësoi lëndim të rëndë që e mbajti gjatë jashtë fushës. 

Edhe Muharrem Jashari po tregon paraqitje të mira me fanellën e Cherkasyt në Ukrainë. Formë të mirë në klubet e tyre përkatëse po kalojnë edhe Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj, Mërgim Vojvoda, portieri Aro Muriq dhe të tjerët.

Së fundi në ekipin e Beshiktashit pas lëndimit është kthyer edhe Milot Rashica. Edhe nga Rashica pritet shkëlqimi.

Kosovës për ndeshjen ndaj Sllovenisë dhe Suedisë i është bashkuar mbrojtësi i Hoffenheimit, Albian Hajdari. Hajdari pritet të paraqitet kundër Sllovenisë dhe Suedisë. Mund të luaj përkrah Fidan Alitit në mungesë të kapitenit Amir Rrahmani. Lumbardh Dellova është në dyshim për shkak të një lëndimi. Dellova të martën stërviti me grupin, por situata e tij do të vlerësohet në ditët në vijim.

Por te Kosova ka shpresë për fitore ndaj Sllovenisë pas formës së mirë që kanë treguar sulmuesit në klubet e tyre përkatëse.

Zvicra është e para në grup me gjashtë pikë, ndërsa Kosova është e dyta me tri. Suedia e Sllovenia kanë nga një pikë.