Futboll

Foda i kënaqur me gjendjen e lojtarëve, fokusi te ndeshja me Slloveninë

Franco Foda

Portieri Arijanet Muriq është i vetmi që i mungon Kosovës në ndeshjen e së shtunës ndaj Sllovenisë në Lubjanë. Lojtarët e tjerë të rëndësishëm janë në dispozicion të selektorit Franco Foda.
Grumbullimi i Kosovës për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026 nisi të hënën në Prishtinë. Gjermani Foda mbajti konferencë për shtyp në mesditë, ndërsa u shpreh i kënaqur për gjendjen e ekipit.

Nga lëndimet janë kthyer Amir Rrahmani, Lumbardh Dellova e Baton Zabërgja, kurse Aro Muriq mungon ndaj Sllovenisë për shkak të kartonëve. 

Ndeshja e së shtunës me Slloveninë luhet nga ora 20:45 në stadiumin “Stozhice”. Ndërkohë më 18 nëntor Kosova e pret Zvicrën.

“Në fillim kam thënë se çdo gjë do të jetë e hapur deri në fund. Çdo gjë është e mundur. Fokusi është në ndeshjen me Slloveninë. Synojmë të fitojmë të paktën një pikë, që të paktën të shkojmë në plejof e më pas do të shohim tutje”, ka thënë Foda në fillim të konferencës për shtyp. 

Ai më pas foli për gjendjen e lojtarëve. Ka thënë se të gjithë janë bashkuar me përfaqësuese në gjendje të mirë fizike.

“Që të gjithë lojtarët janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Kanë kaluar mirë në ndeshjet e fundit. Rrahmani e Dellova kthehen dhe janë në gjendje të mirë. Kemi shumë alternativa në ekip. Shpresoj që të gjithë lojtarët të jenë të gatshëm gjatë gjithë javës. Kemi treguar edhe në ndeshjet e kaluara, që me gjithë mungesat mund t’ia dalim dhe të fitojmë. Aro Muriq është i suspenduar dhe nuk mund të luajë me Slloveninë. E dimë që po kalon formë të mirë, por kemi tri opsione për portën dhe njëri prej tyre do ta zëvendësojë. Në ditën në vijim do të vendosim se cili prej tyre”, ka theksuar tekniku me përvojë. 

Për kapitenin Rrahmani, Foda ka thënë se duhet të rigjenerohet pas tri ndeshjeve me Napolin, të përshtatet me ekipin dhe të jetë gati për ndeshjen në Lubjanë. Sipas Fodas, është me rëndësi që Edon Zhegrova po merr gjithnjë e më shumë minuta te Juventusi. Përzgjedhësi ka paralajmëruar më shumë hapësirë për Zhegrovën se në ndeshjet e kaluara.

Dy xhiro para fundit të kampanjës kualifikuese, Kosova është e dyta në grup me shtatë pikë. Pozita e dytë në fund siguron plejofin e kualifikimeve. Zvicra udhëheq në grup me 10 pikë. Sllovenia i ka tri e Suedia vetëm një. Varësisht nga rezultatet e së shtunës, Kosova mund të jetë edhe në garë për kualifikim direkt. Për këtë duhet që “Dardanët” të marrin pikë në Slloveni dhe që Zvicra mos të fitojë ndaj Suedisë. Me fitore të Zvicrës, gara për vendin e parë mbyllet.

“Ende nuk e kemi arritur atë që dëshirojmë. Në ndeshjen e radhës është me rëndësi të triumfojmë, të shkruajmë histori duke u kualifikuar tutje. Kemi analizuar lojën e Sllovenisë. Ka ndryshuar pak sistemin. Ne jemi më të përgatitur, kemi më shumë mundësi. Kemi më shumë alternativa. Janë kthyer Rrahmani, Dellova, Zabërgja. Së pari synojmë plejofin, ndërsa për më shumë shohim tutje”, ka thënë Franco Foda.

Ai ka tërhequr vërejtjen se në futboll nuk vlen e kaluara dhe se fokusi duhet të jetë te e tashmja, përkatësisht te dy ndeshjet e radhës. Ka thënë se Kosova ende mund të dalë e para, por po ashtu të përfundojë edhe e treta. Foda është i vetëdijshëm se në futboll gjithnjë duhet të shfaqesh dhe të punosh fort. 

Sipas 59-vjeçarit, e rëndësishme është të flitet për lojtarët që janë prezentë, që luajnë për Kosovën dhe janë të gatshëm për Kosovën. Ka treguar se ka pasur kontakt me Arijon Ibrahimoviqin dhe Diant Ramajn, por pa u ndalur shumë te ta. 

Në ndeshjen e kaluar, Kosova fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Suedisë. Foda e vlerëson shumë atë fitore. 

“Sllovenia është ekip i mirë dhe i fortë. E ka treguar këtë shumë herë, sidomos në ndeshjen në Kosovë. Është ekip i kompletuar dhe këtë e ka dëshmuar edhe kundër Zvicrës. Është shumë e vështirë të shënosh gol ndaj Sllovenisë. Është e mirë në të gjitha fazat e lojës. Sidomos në shtëpi luan shumë mirë. Por ne jemi në gjendje të mirë. Kemi luajtur si ekip i bashkuar në ndeshjet e kaluara. Dhe kemi lejuar pak gola. Tani me rëndësi është që t’i tregojmë edhe ne cilësitë tona. Kemi treguar kundër Suedisë se mund të fitojmë si mysafirë. Shpresojmë që këtë ta tregojmë edhe në Slloveni”.

Në fillim të kampanjës, Kosova vlerësohej autsajdere e grupit. Por tani është në pozitë shumë të mirë për kualifikim në plejof, ndërsa ëndërrohet edhe kualifikimi direkt në Botëror.