Futboll

Futbollistët e Kosovës premtojnë maksimumin ndaj Sllovenisë

Kosova

Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës kanë premtuar maksimumin për ta fituar ndeshjen kundër Sllovenisë.

Kosova e luan të premten në “Fadil Vokrri” ndeshjen kundër Sllovenisë. Ndeshja zhvillohet nga ora 20:45 dhe u takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Kosova e ka zhvilluar stërvitjen e dytë të martën. 
Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se “atmosfera në kampin e ‘Dardanëve’ është e shkëlqyer”.

“Në seancën e sotme përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, ndërsa Lumbardh Dellova u aktivizua në ushtrimet më të lehta për të shmangur ngarkesën. Stafi teknik u fokusua në aspektin taktik, veçanërisht në tranzicionin e shpejtë nga mbrojtja në sulm”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Futbollisti Leard Sadriu ka folur për rëndësinë e ndeshjes ndaj Sllovenisë. Ai ka thënë se fitorja ndaj Suedisë në shtator ka rritur moralin e ekipit.

“Duke marrë parasysh rezultatin e fundit të ndeshjes me Suedinë kemi dëshmuar që kemi cilësi të arrijmë rezultate të mira edhe kundër përfaqësueseve të mira, me përfaqësuese të forta siç është Suedia. Prandaj çdo ardhje e re është rritje e cilësisë për ekipin”, ka thënë Sadriu për FFK-në.

Ai ka vlerësuar lart sllovenët, por ka shtuar se Kosova synon fitore të premten.

“E dimë që është kundërshtar i fortë me lojtarë shumë cilësorë brenda grupit, por besoj se ne kemi grup të mirë me cilësi të mirë dhe shpresoj me rezultat pozitiv”, është shprehur mbrojtësi i Argesit rumun.

Ai pret përkrahje të madhe nga tribunat.

“Tifozët kanë rol të rëndësishëm për ne në fushë. Prania e numrit të madh të “Dardanëve” do të jetë ndihmë e madhe për ne për të dhënë maksimumin në fushë”, ka thënë Sadriu.

Edhe mbrojtësi tjetër, Kreshnik Hajrizi, vlerëson atmosferën te Kosova.

“Është ndjenjë e mirë të jesh pjesë e Kosovës. Atmosfera është shumë e mirë, përgatitjet për ndeshjen kundër Sllovenisë po shkojnë shumë mirë. Uroj të arrijmë rezultat të mirë”, ka thënë Hajrizi.

Hajrizi luan për Sionin e Zvicrës.

Ai thotë se Kosova duhet të bëjë paraqitje të madhe siç bëri ndaj Suedisë pas disfatës nga Zvicra 4:0.

“Kemi reaguar mirë ndaj Suedisë pas ndeshjes me Zvicrën. Duhet të bëjmë përgatitje të mira për ndeshjen kundër Sllovenisë të premten. Duhet të futemi me të njëjtin mentalitet dhe t’i fitojmë pikët maksimale. Pa tifozë nuk jemi asgjë. Pres përkrahje masive”, ka thënë Hajrizi.

Kosova më 13 tetor luan kundër Suedisë në Goteborg. Me fitore ndaj Sllovenisë, Kosova do t’i rriste edhe më shumë gjasat për të siguruar plejofin për Kupën e Botës që vitin tjetër mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.