Në orët e para të së dielës kanë hyrë negociatat direkte në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Iranit në Pakistan, në përpjekje për të arritur paqe në Lindjen e Mesme. Nuk ka pasur njoftime zyrtare për rezultatet brenda diskutimeve deri në mesnatë, sipas kohës lokale në Pakistan. Ngushtica e Hormuzit konsiderohet pika “kyçe” e bisedimeve, teksa SHBA-ja ka njoftuar se po punon për çminim të saj. Në anën tjetër, Izraeli ka vazhduar sulmet në Liban përkundër kërkesës direkte nga Irani që kjo të ndalet
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë nisur të shtunën negociata historike ballë për ballë në Pakistan, pak ditë pas shpalljes së armëpushimit dyjavor, pasi lufta ka marrë jetën e mijëra njerëzve dhe ka shkundur tregjet botërore në 7 javë.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar natyrën direkte të bisedimeve, diçka shumë e rrallë për nivelin e lartë. Siç kanë konfirmuar zyrtarët, bisedimet kanë vijuar edhe pse kanë kaluar rreth 6 orë prej nisjes.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërkohë, Ushtria amerikane ka bërë të ditur se dy anije të saj kanë kaluar në Ngushticën e Hormuzit para punës së deminimit. Ishte hera e parë që anije të tilla kaluan që nga nisja e luftës. Ndërkaq media shtetërore iraniane më herët kishte thënë se Irani e ka detyruar një anije amerikane luftarake që të kthehej prapa.
Delegacioni amerikan, i udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance, dhe ai iranian i udhëhequr nga kryeparlamentari Mohammad Baghar Qalibaf, kanë diskutuar me Pakistanin se si mund të avancojnë armëpushimin tashmë të kërcënuar nga mospajtime të thella dhe sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, në Liban. Në këtë shtet, Ministria e Shëndetësisë ka thënë se kanë vdekur më shumë se 2000 persona nga sulmet izraelite.
Që nga Revolucioni Islamik në Iran më 1979, kontakti më direkt ishte ai më 2013 kur presidenti Barack Obama e telefonoi të sapozgjedhurin president të Iranit, Hassan Rouhani, për të diskutuar për programin nuklear të Iranit. Takimet e nivelit më të lartë deri tash ishin ato mes sekretarit të Shtetit, John Kerry, dhe homologut Mohammad Javad Zarif atë kohë për negocimin mbi programin bërthamor.
Tani bisedimet janë zhvilluar në mes të Vanceit, person që ka pak përvojë diplomatike, dhe që ka paralajmëruar Iranin të “mos përpiqet të luajë” dhe Qalibaf, ish-komandant i Gardës Revolucionare të Iranit dhe që ka pasur disa prej deklaratave më të ashpra qëkur nisën luftimet.
Vijat e kuqe të Iranit
Agjencia shtetërore e lajmeve në Iran ka thënë se bisedimet trepalëshe kanë nisur pasi parakushtet e Iranit, përfshirë për reduktim të sulmeve të Izraelit në Libanin jugor, janë përmbushur.
Delegacioni i Iranit i ka thënë televizionit shtetëror se ka prezantuar vijat e kuqe në takimin me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, përfshirë kërkesën për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga sulmet amerikano-izraelite që nisën luftën më 28 shkurt dhe lëshimin e aseteve të ngrira të Iranit.
Lufta ka marrë jetën e të paktën 3000 personave në Iran, 2020 në Liban, 23 në Izrael dhe dhjetëra të tjerëve në shtetet e Gjirit Arab, dhe ka shkaktuar dëme serioze në infrastrukturën në gjysmën e shteteve të Lindjes së Mesme. Mbajtja nën kontroll e Ngushticës së Hormuzit nga Irani e ka shkëputur kryesisht Gjirin Persik dhe eksportet e tij të naftës dhe gazit nga ekonomia globale, duke rritur çmimet e energjisë.
Duke reflektuar mbi rreziqet e larta, zyrtarët nga rajoni kanë thënë se në Islamabad ka pasur edhe zyrtarë kinezë, sauditë e të Katarit për të lehtësuar indirekt bisedimet. Zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti për çështjet delikate.
Ndërkaq në Teheran, banorët i kanë thënë “Associated Press” se janë skeptikë, por kanë shpresë pas javëve të tëra me sulme ajrore që sollën shkatërrim gjithandej shtetit me rreth 93 milionë banorë.
“Vetëm paqja nuk mjafton për shtetin tonë sepse jemi goditur shumë. Ka kosto të mëdha”, ka thënë 62-vjeçari Amir Razzai Far.
Në reagimin më të ashpër deri tash, Papa Leoni XIV të shtunën ka kritikuar “iluzionin e plotfuqishmërisë” që po nxit luftën e SHBA-së dhe të Izraelit në Iran. Ai u ka kërkuar liderëve politikë të ndalen dhe të negociojnë për paqe.
Gjatë lutjes të shtunën, Papa nuk ka përmendur presidentin e SHBA-së apo direkt SHBA-në në lutje. Por ai ka pasur porosi direkte për ta, dhe lavdet që ia kanë thurur vetes për superioritetin ushtarak amerikan.
“Mjaft më me adhurimin e vetvetes dhe të parasë. Mjaft më me shfaqjen e fuqisë. Mjaft me luftëra”, ka thënë Papa.

Çminimi i Ngushticës së Hormuzit
Para se të nisnin bisedimet, presidenti amerikan Donald Trump e ka akuzuar Iranin se po e përdor Ngushticën e Hormuzit për zhvatje dhe u ka thënë gazetarëve se ajo “do të hapet, me ose pa ta”.
Mbyllja e kësaj ngushtice nga Irani ka dëshmuar avantazhin e tij më të madh strategjik në luftë. Rreth një e pesta e naftës që tregtohet në nivel bote kalon nga kjo ngushticë, apo rreth 100 anije në ditë. Vetëm 12 janë regjistruar tek kalojnë që nga armëpushimi.
Të shtunën, Trumpi në një postim në rrjete sociale ka thënë se SHBA-ja ka nisur “pastrimin” e ngushticës.
“Sot ne kemi nisur procesin e krijimit të një kalimi të ri dhe së shpejti do ta ndajmë këtë rrugë të sigurt me industrinë detare”, u tha në njoftimin e admiralit Brad Cooper, komandant i Komandës Qendrore të SHBA-së. “Forca të tjera amerikane, përfshirë dronët nënujorë, do t’u bashkohen përpjekjeve të pastrimit në ditët në vijim”.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se Teherani po hyn në negociata “me mosbesim të thellë” pas sulmeve mbi Iran gjatë ditës së bisedimeve. Araghchi, pjesë e delegacionit iranian në Pakistan, ka thënë po ashtu se vendi i tij ishte i gatshëm të hakmerrej nëse sulmohet sërish.
Një propozim me 10 pika nga Irani, para bisedimeve të së shtunës, bënte thirrje për përfundim të garantuar të luftës dhe kërkonte kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit. Ky plan përfshinte ndaljen e luftimeve kundër “aleatëve rajonalë” të Iranit, duke bërë thirrje për ndalimin e sulmeve ajrore ndaj Hezbollahut.
Ndërkaq plani 15 pikësh, i propozuar nga SHBA-ja, bënte thirrje për ndaljen e programit nuklear të Iranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Mst: Izraeli e Libani do të kenë biseda direkte
Ndërkohë, Izraeli ka vazhduar me sulme ndaj Libanit duke thënë se aty nuk ka hapësirë për armëpushim. Irani e Pakistani nuk janë pajtuar. Agjencia shtetërore e lajmeve libaneze ka raportuar për të paktën tre të vdekur.
Negociatat midis Izraelit dhe Libanit pritet të nisin të martën në Washington, ka bërë të ditur zyra e presidentit libanez, Joseph Aoun të premten, pasi Izraeli befasoi duke autorizuar bisedimet edhe pse s’kanë marrëdhënie zyrtare mes vete.
Por, teksa mijëra njerëz në Liban protestonin kundër negociatave të planifikuara, kryeministri Nawaf Salam ka thënë se e ka shtyrë një udhëtim të planifikuar në Washington “në dritën e rrethanave aktuale të brendshme”. Nuk ishte bërë e qartë se çka nënkuptonte kjo për bisedimet.
Izraeli dëshiron që Qeveria e Libanit të marrë përgjegjësinë për çarmatosjen e Hezbollahut, ashtu siç ishte parashikuar në armëpushimin e nëntorit 2024. Por është e paqartë nëse ushtria e Libanit mund të konfiskojë armë nga grupi militant, i cili ka mbijetuar përpjekjet për të kufizuar forcën e tij për dekada të tëra.
Hezbollahu iu bashkua luftës në mbështetje të Iranit në ditët e para. Izraeli iu përgjigj me sulme ajrore dhe një pushtim tokësor.
Ditën që u njoftua marrëveshja e armëpushimit me Iranin, Izraeli e sulmoi Bejrutin me sulme ajrore, duke vrarë më shumë se 300 njerëz në ditën më vdekjeprurëse në Liban që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit.