Federata e Futbollit e Suedisë ka pranuar se Kosova ishte më e mirë në stadiumin “Fadil Vokrri” të hënën mbrëma.
Kosova e fitoi 2:0 ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
“Humbja nga Kosova në Prishtinë dukej si goditje në stomak për të gjithë të përfshirët. Kosova i është përmbajtur planit të saj të lojës në mënyrë të përkryer. Ka kundërsulmuar Suedinë, që kishte vështirësi të krijonte rate në humbjen 2:0” shkruan në raportin e Federatës së Futbollit të Suedisë.
Selektori Jon Dahl Tomasson po ashtu ka thënë se Kosova fitoi me meritë.
“Kemi luajtur kundër principeve tona. Kjo nuk ishte mirë. E urrej humbjen dhe e urrej të humbim në këtë mënyrë”, ka thënë danezi i njohur.
Suedezët e kishin topin në shumicën e kohës, por sipas tyre, Kosova e ka dashur pikërisht këtë. Përmes kundërsulmeve u shënuan të dy golat dhe u krijuan raste të tjera të Kosovës.
Kapiteni i Suedisë, Isak Hien, ka thënë se ndeshjen e nisën mirë, por më pas lejuan kundërsulme që përfunduan me gola.
“Nuk kishim kontrollin e duhur në defanzivë dhe ofenzivë. Kemi lejuar kundërsulmet. E kemi ditur se kemi shumë hapësirë prapa dhe për këtë është e rëndësishme të fokusohemi në mbrojtje dhe sulm. Por nuk e kemi bërë këtë mjaftueshëm mirë”, ka thënë Hien.
Se fitorja e Kosovës ishte e merituar, nuk ka lënë dyshime përzgjedhësi i Suedisë Tomasson.
“Fitore plotësisht e merituar e Kosovës. Ata e deshën më shumë. Kemi luajtur ngadalë dhe nuk kemi reaguar mjaftueshëm shpejtë kur e kemi humbur topin. Në katër kundërsulme është dashur të reagojmë më mirë si ekip. Ne trajnerët jemi të përfshirë në këtë”, ka pranuar përgjegjësinë Jon Dahl Tomasson.
“Kemi provuar në pjesën e dytë por nuk ishim të mirë. Na kanë munguar idetë në zonë”.
Lojtarët e Suedisë kanë kërkuar fale për humbjen.
“Është dëshpërim i madh. Mendoj se flas për gjithë ekipin. Dua t’’iu kërkoj falje të gjithë tifozëve suedezë që ishin këtu dhe na përkrahën. Ekipi dhe unë ndiejmë se është dashur të luajmë më mirë”, ka thënë Emil Krafth.
Edhe Yasin Ayari ka kërkuar falje. Ai ka thënë se Suedia do të kthehet. Ka shtuar se lojtarët janë më të mërzitur se gjithë të tjerët.
Ka folur edhe ylli Viktor Gyokeres.
“Ishim jashtëzakonisht falënderues për përkrahjen që kishim në këto dy ndeshje në udhëtim. Qartë se kemi dashur t’u japim të gjithëve shumë më tepër në këto ndeshje. Do të kujdesemi që ta bëjmë këtë në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Gyokeres. Ai ka theksuar se nuk ka pasur shumë raste për gol. Por ka shtuar se është dashur të paraqitet më mirë dhe të krijojë më shumë shanse.
Në Suedi tashmë ka zëra edhe për largimin e selektorit Tomasson. Reagimet pas humbjes nga Kosova janë të shumta.