Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Guler i lumtur pas golit që shihet rrallë

arda

Arda Guler ishte ylli i mbrëmjes në fitoren 4:1 të Real Madridit ndaj Elches, të shtunën në “Bernabeu”. Futbollisti turk shënoi supergol me goditje nga afro 70 metra largësi.

Ai e vërejti që portieri i Elches doli larg nga porta dhe gjuajtja e përkryer përfundoi në rrjetë. 21-vjeçari e shënoi golin e fundit në takimin e xhiros së 28-të të La Ligas. Me fitore, Real Madridi mbeti në garë për titull të kampionit të Spanjës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Jam shumë i lumtur. Ishte gol fantastik. E kam shikuar portierin dhe ai nuk ishte në pozitë të mirë. Kam vendosur të gjuaj dhe çfarë goli ishte”, ka thënë ylli turk për televizionin e Real Madridit.

“Marca” ka shkruar se goli është për çmimin “Pushkash”, që ndahet për golin më të mirë të vitit në futboll.

Fitorja e së shtunës erdhi tri ditë pasi Real Madridi e mposhti 3:0 Manchester Cityn në ndeshjen e parë të një të tetës së finales në Champions.

“Ishim pak të lodhur, por e kemi ditur se duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Kështu që ishte shumë e rëndësishme që të kemi të gjithë lojtarët e rinj në dispozicion. Me përkrahjen e tyre ishim në gjendje të luajmë mirë dhe të arrijmë fitore bindëse”, ka thënë Guler.

Guleri u aktivizua në minutën e 58-të në vend të Viniciusit. Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, është munduar të pushojë yjet e skuadrës në prag të ndeshjes së kthimit me Manchester Cityn.

“Po kalojmë shumë mirë me trajnerin. Jemi me të në kohëra të mira dhe të vështira. Pas golit shkova që të festoj me të dhe të tjerët. Trajneri kërkon gjëra të ndryshme prej meje, varësisht pozitës. Kur luaj në gjysmën tonë, ai kërkon që të përfshihem më shumë në ndërtimin e lojës. Kur jam më i avancuar, ai më kërkon që të luaj më shumë mes linjave dhe të bëj vrapime përpara. Gjithnjë mundohem të bëj më të mirën”, ka shtuar Guler.

Ai këtë edicion i ka katër gola e tetë asistime në 28 paraqitje në La Liga.

Madridi të martën luan në Angli me Manchester Cityn. Guler ka thënë se skuadra është e motivuar për tjetër fitore.

Tifozëria në “Santiago Bernabeu” ka festuar dy herë gjatë javës. Dhe ka pasur rastin të shoh një gol të rrallë.

“I kam parë të gjithë duke mbajtur kokën me duar. Është e pabesueshme të shënosh gol nga 70 metra. Goli ia vleu çmimin e biletës për të parë ndeshjen”, ka thënë trajneri Arbeloa.

Guler iu bashkua Madridit në vitin 2023 nga Fenerbahçe. Dhe këtë edicion është prej lojtarëve të rëndësishëm në klubin mbretëror.