Erling Haalandi shkëlqeu për Manchester Cityn edhe në një tjetër mbrëmje, duke regjistruar tjetër rekord.
Ai realizoi gol në fitoren 2:0 të Cityt ndaj Napolit të enjten mbrëma, ndërsa trajneri Pep Guardiola beson se sulmuesi shtatlartë mund të jetë një ditë më i miri në Evropë.
25-vjeçari norvegjez u bë lojtari që më së shpejti arriti shifrën e 50 golave në histori të Championsit. Ai shënoi golin e 50-të në paraqitjen e 49-të në garën elitare të klubeve në Evropë.
Haaland shënoi në minutën e 56-të me goditje me kokë, pas asistimit të Phil Fodenit.
Haalandi e theu rekordin e vendosur nga ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Real Madridit, Ruud van Nistelrooy, që shifrën e 50 golave e arriti në 62 ndeshje.
“Shifrat flasin vetë”, tha Guardiola. “Në shënimin e golave ai është bashkë me Van Nistelrooyn, Robert Lewandowskin, por edhe me dy ‘përbindëshit’, Cristiano Ronaldon dhe Lionel Messin. Erlingu është aty. Në aspektin shënimit të golave, është i jashtëzakonshëm”.
Golashënuesi më i mirë i Ligës së Kampionëve është Ronaldo me 140 gola. I pyetur nëse Haalandi do ta arrijë një ditë atë shifër, Guardiola nuk hezitoi duke thënë se çdo gjë është e mundur.
“Nëse e mban këtë ritëm, po. Ai mund të luajë ndoshta edhe 12 vjet. Nëse ai e vazhdon këtë ritëm, padyshim se mund ta arrijë”, ka deklaruar Guardiola.