Videoja e parë e postuar në kanalin e ri në “YouTube” të Erling Haalandit ka mbi pesë milionë shikime. Dhe po ashtu ka nxitur diskutime rreth pirjes së qumështit të papërpunuar nga ylli i Premier Leagues.
Në episodin e titulluar “Dita në jetën e një futbollisti profesionist”, sulmuesi i Manchester Cityt dhe Norvegjisë flet për rutinën e përditshme, për kënaqësinë e gatimit dhe ngrënies së një lloji të biftekut.
Por 25-vjeçari flet edhe për dëshirën e tij për të pirë qumësht të papërpunuar, të papasterizuar.
Qumështi i papërpunuar nuk mund të blihet në dyqane e supermarkete në Angli, por shitja e tij është e ligjshme.
Agjencia e Standardeve Ushqimore (FSA) thotë që ky qumësht “mund të përmbajë baktere të dëmshme që mund të shkaktojnë helmim nga ushqimi” dhe për këtë arsye nuk duhet të konsumohet nga njerëz me sistem imunitar më të dobët, duke përfshirë personat mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël.
Por pse Haalandi ka vendosur për këtë qumësht dhe a ka implikime më të mëdha?
Haalandi është incizuar duke vizituar një fermë në Cheshire për të bërë furnizimin me qumësht të papërpunuar. Ai i referohet qumështit si “superushqim” dhe beson se është “i mirë për stomakun, lëkurën, eshtrat dhe muskujt”.
“Kjo është arsyeja pse e pi”, thotë Haaland.
Norvegjezi e pi një gotë të këtij qumështi çdo mëngjes dhe një tjetër pas stërvitjes. Kështu ka vepruar gjithnjë.
Haaland mendon se qumështi i papërpunuar e bën më të shëndetshëm, që është shumë e rëndësishme për një sportist në kulm të karrierës. Në thelb, është më shumë zgjedhje jetësore e tij sesa zgjedhje e bërë duke u bazuar në ushqyerjen sportive.
VIDEO:
Pjesa më e madhe e qumështit që pihet në Mbretërinë e Bashkuar trajtohet me nxehtësi, ose pasterizohet, për të mbytur bakteret e dëmshme. Qumështi i papërpunuar, e që është për pije, nuk trajtohet në të njëjtën mënyrë. Pasi merret nga kafsha, vendoset direkt në shishe, pa asnjë trajtim tjetër.
“Qumështi i papërpunuar mund të përmbajë baktere që shkaktojnë helmim, kështu që ka kontrolle dhe standarde higjienike shtesë për prodhuesit e qumështit të papërpunuar për pije”, ka thënë zëvendësdrejtoresha e Agjencisë së Standardeve Ushqimore, Natasha Smith.
Shitja e qumështit të papërpunuar të lopës është e ligjshme në Angli, Uells dhe Irlandë të Veriut.
Konsumatorëve mund t’u shitet vetëm nga fermat e regjistruara të prodhimit të qumështit të papërpunuar për pije. Në Skoci është e ndaluar.
Qumështi i papërpunuar duhet të jetë vetëm i kafshëve që nuk kanë sëmundje dhe nga ferma që u përmbahen rregullave të higjienës. Femrat inspektohen dy herë në vit.
Në Angli është rritur konsumimi i qumështit të papërpunuar, pasi njerëzit besojnë se ka përfitime shëndetësore. Nga agjencia thonë që ka pak prova të besueshme shkencore që e mbështesin këtë.
Pasi Haaland e publikoi videon, ferma ku ai bën furnizim është vërshuar nga kërkesat. Dhe ato pritet të rriten edhe më shumë.
