Futbollisti gjerman, Kai Havertz, është në prag të kthimit nga lëndimi, pas mungesës për kohë të gjatë.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka konfirmuar se Havertz është kthyer në stërvitje para fitores me penallti ndaj Crystal Palacet në Kupën e Ligës më 23 dhjetor. Dhe tani është vetëm çështje ditësh kthimi i tij në fushën e lojës.
“Mendoj se ai do të kthehet brenda pak ditësh”, ka deklaruar tekniku spanjoll, shkruan “Sky” të premten.
26-vjeçari Havertz e ka luajtur vetëm një ndeshje këtë edicion, atë të xhiros së parë ndaj Manchester Unitedit. Më pas iu nënshtrua operimit të gjurit dhe nuk ka luajtur që nga ajo kohë me “topçinjtë”.
Havertz kishte munguar për kohë të gjatë edhe në pjesën e dytë të edicionit të kaluar, për shkak të telasheve muskulore.
“Ta shohim se si do të jetë hapi i tij i radhës. Ai është lojtar që na ka munguar shumë, i sjellë dimension tjetër skuadrës. Kështu që jam i lumtur që do të kthehet shpejtë”, ka deklaruar Arteta.
Arsenali do të ballafaqohet me Brightonin të shtunën nga ora 16:00.