Futboll

Hendbollistët e rinj të Kosovës synojnë të lënë gjurmë në Egjipt

Kosova U19

Hendbollistët e rinj të Kosovës kishin fazë të suksesshme përgatitore për Botërorin që mbahet në Egjipt. Kosova U19 i fitoi të tria miqësoret e zhvilluara në Slloveni ndaj Kuvajtit. Dhe tani presin ta kenë të suksesshëm edhe Botërorin e 19-vjeçarëve, që nis të mërkurën dhe përfundon më 17 gusht.

Kosova të mërkurën do ta zhvillojë ndeshjen e parë. Ndeshjen e dytë “Dardanët” e rinj e kanë të premten, kurse duelin e tretë të shtunën. Por te Kosova U19 janë të bindur se qëndrimi i tyre në Egjipt do të zgjasë edhe më shumë.

“Nuk jemi këtu vetëm për të qenë prezent. Duam të shkojmë tutje, të fitojmë ndeshje dhe të lëmë gjurmën tonë në këtë botëror”, ka thënë një prej hendbollistëve më të mirë të Kosovës U19, Olsi Mulaj, të martën për KOHËN.

“Gjasat janë reale që të bëjmë diçka më shumë, sidomos kur shohim grupin. E dimë që Hungaria është favorite, por ndaj Zvicrës dhe Marokut kemi shanse reale nëse luajmë me zemër, disiplinë dhe pa frikë. E kemi dëshmuar që kur jemi të bashkuar, mund të befasojmë këdo”.

Kosova U19 përballet me Zvicrën të mërkurën nga ora 18:30. Ndeshja e Grupit B luhet në sallën “Dr Hassan Moustafa” në Giza. Në grup me Kosovën e Zvicrën janë edhe Maroku dhe Hungaria. Me këtë të fundit luan të premten, kurse të shtunën ndaj Marokut.

“Kualifikimi në Botëror është një arritje historike për neve si ekip, për vendin tonë dhe për të gjithë tifozët që na kanë përkrahur gjatë gjithë rrugës. E dimë që përballemi me ekipe shumë të forta, por qëllimi ynë nuk është vetëm të jemi pjesëmarrës. Ne jemi të përgatitur dhe të motivuar për me luftuar deri në fund, duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje”, është shprehur Mulaj.

Është gjenerata e tretë e Kosovës që ka siguruar paraqitjen në kampionat botëror, si në asnjë sport tjetër ekipor.

“Të jesh pjesë e Kosovës në Botëror është ndjenjë e jashtëzakonshme për të gjithë lojtarët. Ka emocione të mëdha, përgjegjësi, por edhe është motiv i jashtëzakonshëm të japësh gjithçka për fanellën e Kosovës”, është shprehur ai.

Mulaj ka insistuar se në Egjipt, Kosova synon të paraqitet sa më gjatë të jetë e mundur.

Në Botërorin në Egjipt, 17 përfaqësuese do të jenë nga Evropa, pesë nga Afrika, pesë përfaqësuese janë nga Azia, tri nga Konfederata Jugore dhe Qendrore e Amerikës dhe një nga Konfederata e Hendbollit të Amerikës së Veriut dhe Karaibeve.

“Së pari, është nder dhe krenari e madhe për neve të jemi pjesë e një Kampionati Botëror. Nuk është pak të përfaqësosh Kosovën në një skenë të tillë, dhe e dimë që vetë pjesëmarrja është historike për vendin tonë. Por kjo nuk do të thotë që jemi këtu vetëm për me marrë pjesë”, ka thënë Mulaj.

Kosova U19 paraqitjen në Botëror e siguroi nëpërmjet “IHF Trophy”, rrugës së dytë dhe më e shkurtër. IHF Trophy është ngjarje e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, që për synim ka zhvillimin e hendbollit nëpër botë. Por po ashtu ka ofruar një biletë për Botëror.

Kosova U19 në fazën grupore kishte fituar ndaj Nigerisë e Kaledonisë së Re. Në gjysmëfinale triumfoi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa Nigerinë e mposhti edhe në finale 34:30.

Në vitin 2019 hendbollistët e Kosovës U21 janë paraqitur në Kampionatin Botëror të mbajtur në Spanjë, ndërsa vjet hendbollistet e Kosovës U18 u paraqitën në Botërorin e mbajtur në Kinë.