Kanë kaluar pothuajse tri dekada që kur Federata e Futbollit e Irlandës u gjet për herë të fundit në një dilemë.
Ishte planifikuar që Irlanda tapriste më 5 qershor të vitit 1999 përfaqësuesen e Jugosllavisë. Por qeveria irlandeze, e drejtuar në atë kohë nga Bertie Ahern, ndërhyri për të shtyrë ndeshjen.
“Kërkesa që ndeshja kualifikuese për ‘Euro 2020’ të mos zhvillohej ishte për mizoritë jugosllave në Kosovë. I mllefosur nga pamjet që po shihte çdo ditë në Ballkan, publiku irlandez ishte i trazuar për mundësinë e zhvillimit të ndeshjes. Ishin planifikuar demonstrata të mëdha për ditën e ndeshjes dhe Federata e Futbollit e Irlandës kishte paralajmëruar se nuk do të lëshonte himnin jugosllav para fillimi të ndeshjes. Trajneri Mick McCarthy dhe lojtarët, sipas raportimeve të asaj kohe, nuk donin të luanin, por duhej të stërviteshin në rast se ndeshja do të zhvillohej. Qeveria e drejtuar nga Ahern mori masa së bashku me ministrin e sportit Jim McDaid që loboi në nivelin e BE-së për mbështetje kundër UEFA-s, e cila kishte refuzuar të anulonte ndeshjen. Me mbështetje të fortë politike, qeveria irlandeze refuzoi vizat për lojtarët dhe delegacionin jugosllav dhe për këtë arsye nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të anulohej ndeshja”, shkruan “Irish Mirror”.
Ndeshja Irlandë – Jugosllavi u zhvillua tre muaj më pas. Irlanda fitoi 2:1 me golat e Robbie Keane dhe Mark Kennedy.
Qëndrimi i UEFA-s në vitin 1999 ishte edhe më i çuditshëm për Federatën irlandeze. Organi qeverisës evropian kishte marrë vendimin për të përjashtuar klubet jugosllave nga garat për sezonin pasues.
Izraeli është dilema e fundit me të cilën përballet futbolli irlandez, pas shortit të së enjtes në Ligën e Kombeve. Shorti përcaktoi Irlandën, Izraelin, Kosovën dhe Austrinë në Grupin 3B të Ligës së Kombeve.
Irlanda në fund të vitit të kaluar i kërkoi UEFA-s të suspendonte Izraelin, por pa sukses.
“Ndërsa Jugosllavia u bë një shtet i përjashtuar, duke i hapur rrugën qeverisë të vepronte kundër kërkesave të UEFA-s, Izraeli ende gëzon mbështetje të konsiderueshme, pavarësisht skenave të tmerrshme që kanë dalë nga Gaza gjatë dy vite e gjysmë”, shkruan Irish Mirror.
Tutje mediumi irlandez shkruan se qeveria irlandeze në vitin 1999 iu referua aktakuzës ndaj presidentit të atëhershëm Slobodan Milosheviq si kriminel lufte.
“Duke pasur parasysh këtë dështim nga ana e UEFA-s për të pranuar përgjegjësitë e saj, situatën e papranueshme në Kosovë dhe padinë e Tribunalit Ndërkombëtar kundër autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, qeveria ishte e bindur se nuk do të ishte e përshtatshme që ajo ndeshje futbolli të zhvillohej në Irlandë”.
UEFA kishte kërcënuar Federatën e Irlandës me përjashtim nga pjesa e mbetur e kualifikimeve për “Euro 2020” për shkak të refuzimit të organizimit të ndeshjes më 5 qershor.
Irlanda në fund mori vetëm një gjobë.
Tani Federata e Futbollit e Irlandës është e vetme, pasi kryeministri aktual Michael Martin nuk tregon shenja se do të tregojë fuqinë e tij politike si Bertie Ahern dhe qeveria e tij 27 vjet më parë.
Kishte deklarata pas shortit që lanë të kuptonin se Irlanda do të ketë përballje me Izraelin, pavarësisht se kërkoi të përjashtonte nga UEFA.