Futboll

Italia e shkarkon Spallettin

Luciano Spalletti

Italia e shkarkon Spallettin

Pas humbjes së rëndë që e pësoi nga Norvegjia, Përfaqësuesja e Italisë ka vendosur që ta shkarkojë selektorin Luciano Spalletti.

Këtë e ka bërë të ditur Spalletti të dielën përmes një deklarate në konferencën e mbajtur për shtyp.

Italia të premten në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada u mposht nga Norvegjia me rezultatin e thellë 3:0.

“Mbrëmë, unë dhe presidenti ishim bashkë, jemi shpesh në kontakt dhe ai më informoi se do të lirohesha nga detyrat e mia. Do të kisha preferuar të vazhdoja punën time dhe të qëndroja në pozicionin tim, por e konsideroj këtë si një shërbim ndaj vendit”, ka thënë Spalletti.

66-vjeçari Spalletti e mori drejtimin e Italisë në vitin 2023. Ai e ka drejtuar Italinë në 23 ndeshje ku ka shënuar 11 fitore, gjashtë barazime dhe gjashtë humbje.

Ai tek Italia e zëvendësoi Roberto Mancinin.

Për Spallettin ndeshja e së hënës ndaj Moldavisë do të jetë e fundit në krye të shtabit teknik tek Italia.

Italia nga ora 20:45 e pret Moldavinë në ndeshjen e dytë kualifikuese për Botërorin e vitit 2026.

Italia është në Grupin I së bashku me Norvegjinë, Izraelin, Estoninë dhe Moldavinë.