Sportingu i Lisbonës i ka shënuar plot 19 gola kampiones së Kosovës në futsall, Prishtinës 01.
Prishtina 01 të mërkurën mbrëma u mposht me rezultatin 19:1 nga Sportingu, në ndeshjen e parë të Grupit 4 të “Main Round”, raundit kryesor të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja u zhvillua në Makarska të Kroacisë, që është nikoqire e këtij grupi.
Prishtina 01 kaloi në epërsi e para me golin e Drilon Maxharrajt. Ai shënoi golin e epërsisë 15 sekonda pasi nisi ndeshja. Më pas pranoi 10 gola në pjesën e parë dhe nëntë të tjera në pjesën e dytë.
“Sportingu arriti fitoren e saj më mbresëlënëse në 616 ndeshje zyrtare nën drejtimin e trajnerit Nuno Dias, i cili ka qenë në krye që nga sezoni 2012/2013. Fitorja e tyre më e thellë në garën kryesore evropiane për klube të futsallit ishte fitorja 16:1 kundër ekipit rumun Targu Mures në nëntor 2016, në ‘Elite Round’, kur gara quhej ‘Kupa e Futsalit e UEFA-s’”, shkruan sajti portugez “record.pt”.
Një tjetër medium portugez i ka kushtuar rëndësi fitores së arritur të Sportingut ndaj Prishtinës 01.
“Sportingu e shkatërroi ekipin kosovar Prishtina me rezultatin 19:1 të mërkurën në ndeshjen hapëse të Grupit 4 të raundit kryesor të Ligës së Kampionëve, duke arritur fitoren e tyre më të thellë ndonjëherë në këtë garë në 17 paraqitje”, shkruan “rtp.pt”.
Prishtina 01 edhe në edicionin 2023/2024 në “Elite Round” kishte pësuar dy disfata të thella. Kishte humbur 11:2 nga Kairati e 10:1 na Benfica. Por po ashtu ka edhe fitore të thella. Kishte fituar ndaj Isbjorinnit me rezultat 11:1, në kuadër të fazës së parë parakualifikuese. Ishte edhe hera e parë për Prishtinën 01 që paraqitet në garat evropiane.
Në këtë grup janë edhe Kairat Almaty i Kazakistanit dhe Novo Vrijeme e Kroacisë.
Ndeshjen e dytë, Prishtina 01 e luan të premten ndaj Novo Vrijemes, kurse e mbyll fazën grupore më 1 nëntor, me ndeshjen ndaj Kairat Almatyt.
Tri të parat e grupit avancojnë në “Elite Round”.
Sportingu e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve të futsallit. Trofeun e fitoi në sezonet 2018/2019 dhe 2020/2021.
Ekipet e futsallin paraqiten në garat evropiane të UEFA-s nga edicioni 2016/2017. Kosovën e kanë përfaqësuar edhe Feniksi, Liburni, Prishtina e Liqeni. Por humbja e Prishtinës 01 nga Sportingu i Lisbonës, është me e thella ndonjëherë për ekipet kosovare të futsallit.