Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Kompany: Mourinho bëri gabim të madh

Vincent Kompany

Trajneri i Bayern Munchenit, Vincent Kompany, beson se trajneri i Benficas, Jose Mourinho, ka bërë gabim të madh me komentet e tij lidhur me Vinicius Juniorin.

Të martën në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, Vini Jr u largua nga fusha dhe refuzoi për pak minuta të kthehet, duke akuzuar lojtarin e Benficas, Gianluca Prestianni, për fyerje racore. Vinicius Junior pretendoi se u fye, pasi shënoi golin që doli i fitores 1:0 të Real Madridit në Lisbonë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

UEFA ka caktuar një inspektor për të hetuar incidentin, ndërsa procedura pritet të zgjasë deri në tri javë.

Pas ndeshjes, trajneri i Benficas, Jose Mourinho, sugjeroi se ishte Viniciusi që kishte nxitur tifozët vendas me festimin e bërë pas golit. Ylli brazilian shënoi supergol dhe shkoi në kënd ku festoi.

“Kur shënon një gol të tillë, feston me respekt. Ka diçka që nuk shkon, sepse ndodh në çdo stadium. Në çdo stadium ku luan Viniciusi ndodh diçka. Gjithmonë”, kishte thënë Mourinho pas ndeshjes.

Për këto deklarata, trajneri i njohur portugez mori kritika të shumta.

Të premten trajneri i Bayernit, Kompany, foli për rastin.

“Është temë e vështirë. E kam parë duke ndodhur dhe janë disa komponentë në tregim. E para është ajo që ndodh në fushën e lojës. E dyta është se çka ndodh me tifozët po ashtu. E treta, çka ndodh pas ndeshjes. Dhe këto gjëra duhet të kenë ndarje të qartë”, ka thënë Kompany. Ai më pas ka shtjelluar të gjithë situatën.

“Reagimi i Vini Jr nuk mund të falsifikohet. Mund të shohësh reagimin e tij si reagim emocional. Nuk shoh ndonjë përfitim që ai të shkojë te gjyqtari dhe të marrë gjithë këtë barrë mbi vete. Nuk ka absolutisht asnjë arsye që Vini Jr të shkojë dhe ta bëjë këtë. Ai e bën pasi në mendjen e tij është gjëja e duhur për të bërë në atë moment. Pranë tij është Kylian Mbappe, i cili zakonisht qëndron mjaft diplomatik. Mbappe është i qartë për atë që dëgjoi dhe atë që pa. Dhe është edhe më i qartë pas ndeshjes kur flet për të. E ke edhe një lojtar që e fsheh me fanellë atë që e thotë. Në fund e ke një lojtar që ankohet dhe një që thotë se nuk e bëri, kështu që është rast i vështirë. E kuptoj këtë. Por në stadium shihni njerëz që bëjnë shenja majmuni. Dhe për mua, edhe më keq është ajo që ndodhi pas ndeshjes”, ka vazhduar trajneri i Bayernit.

Vetëm pasi ka bërë një përshkrim më të gjerë të situatës, Kompany nisi të flasë për Mourinhon.

“Keni udhëheqësin e një organizate, Jose Mourinho, i cili sulmon karakterin e Vinicius Jr, duke shfrytëzuar mënyrën e festimit për të diskredituar atë që Vinicius po bën në këtë moment. Sa i përket lidershipit, është një gabim i madh dhe diçka që nuk duhet ta pranojmë”, ka thënë Kompany.

Në komentet e tij, Mourinho përmendi figurën legjendare të Eusebios si provë që ata që lidhen me klubin e Benficas nuk janë racistë.

“Për më tepër, ai përmend emrin e Eusebios, për të thënë se Benfica nuk mund të jetë raciste, sepse lojtari më i mirë në historinë e Benficas është Eusebio. A e dini se çka është dashur të kalojnë lojtarët e zinj në vitet ‘60? A ishte ai atje për të udhëtuar me Eusebion në çdo ndeshje jashtë fushe dhe për të parë se çfarë kalonte ai në çdo vend të Evropës? Babai im është zezak nga vitet ‘60 që ia doli. Dhe ndoshta në atë kohë e vetmja mundësi që kishin ishte të heshtnin. Të mos thoshin asgjë dhe të qëndronin mbi këtë dhe të ishin dhjetë herë më të mirë për të marrë pak merita dhe që njerëzit të pranonin se ai ishte i mirë. Me gjasë kjo ishte jeta e Eusebios. Për dallimi nga Vini, ka shumë lojtarë në liga të ndryshme në Evropë që nuk kanë zë. Ka lojtarë në Hungari, Bullgari, Serbi, nëse u ndodh diçka dhe janë lojtarë të zinj, ata nuk kanë asnjë shans për të pasur ndonjë lloj mbështetjeje. Vini është të paktën në një situatë ku shumë lojtarë ia kanë bërë të mundur atij që ta shfrytëzojë këtë moment dhe të protestojë në këtë moment”, ka thënë Vincent Kompany.

Kompany akuzoi Mourinhon se ka sulmuar karakterin e Viniciusit dhe përmendi incidente ku Mourinho mund të kishte qenë i prekur nga diskriminimi. Ai ka përmendur momente kundërthënëse të Mourinhos, por ka shtuar se të gjithë njerëzit që ka takuar kanë folur mirë për portugezin.

“E di që është person i mirë. Nuk kam nevojë ta gjykoj si person, por gjithashtu e di se çka kam dëgjuar dhe ndoshta e kuptoj çka ka bërë. Por ai bëri gabim. Shpresoj të mos ndodhë përsëri dhe në të ardhmen të mund të ecim përpara, të rritemi dhe të shohim gjërat që mund të bëjmë së bashku, në vend të gjërave që na ndajnë vazhdimisht”, ka thënë Kompany.

Kompany ka thënë se shpreson që Prestianni do të ketë mundësi të kërkojë falje, nëse shpallet fajtor. Por po ashtu të vuajë dënim.