Futboll

Kosova nis përgatitjet pa yjet Muriqi, Zhegrova, Muriq

stervitje

Edon Zhegrova nuk e fitoi rastin të paraqitet për Juventusin në derbin kundër Milanit të dielën. Zhegrova, i cili iu bashkua të hënën gjatë ditës përfaqësueses në hotel, nuk ka luajtur as ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve. Por ai të hënën nuk u paraqit në seancën e parë përgatitore për ndeshjen kundër Sllovenisë të premten. Zhegrova qëndroi në hotel së bashku me yjet e tjerë të Kosovës, sulmuesin Vedat Muriqi, portierin Arijanet Muriq e Elvis Rexhbeçaj. Munguan edhe Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Muharrem Jashari e disa lojtarë tjerë të ftuar për ndeshjet kundër Sllovenisë e Suedisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Me Slloveninë “Dardanët” luajnë të premten në Prishtinë, kurse më 13 tetor në Goteborg ndaj Suedisë.

Portieri Muriq luajti të premten e kaluar ndeshjen e fundit me Sassuolon. Ishte prej më të mirëve ndaj Hellas Veronës, kurse Muriqi, luajti të shtunën për Mallorcan kundër Athletic Bilbaos.

Edhe Rexhbeçaj luajti për Augsburgun të shtunën. Por ai të dielën organizoi ceremoni martesore në Prizren.

Disa lojtarë munguan shkaku i angazhimeve me klubet e tyre të dielën.

Por në stërvitjen e parë nuk mungoi mbrojtësi Albian Hajdari. Qendërmbrojtësi i Hoffenheimit u paraqit për herë të parë me fanellën e Kosovës. Ditë më parë Hajdari vendosi për të përfaqësuar Kosovën e jo Zvicrën në nivel senior. Edhe dyshja tjetër e Hoffenheimit, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani, ishin po ashtu të pranishëm në stërvitje. Nuk mungoi as Milot Rashica. Rashica u kthye së fundi te Kosova pasi kaloi telashet me lëndim.

Zhegrova e ka zhvilluar kundër Lituanisë më 18 nëntor të vitit të kaluar ndeshjen e fundit me fanellën e Kosovës. Ai në dhjetor të vitit të kaluar pësoi lëndim të rëndë që e mbajti gjatë jashtë fushës. Në verë ai iu bashkua Juventusit. Me Juventusin ka luajtur 33 minuta në Serie A dhe tre minuta në Ligën e Kampionëve.

Stërvitja e parë e Kosovës u zhvillua pasdite në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në stadiumin që mban emrin e legjendës, Kosova të premten e pret Slloveninë.

Kosova ndaj Sllovenisë luan pas fitores së madhe kundër Suedisë muajin e kaluar në “Fadil Vokrri”. “Dardanët” mposhtën Suedinë në Prishtinë me rezultat 2:0. Fitorja ndaj suedezëve ishte reagim pas humbjes së thellë nga Zvicra 4:0 në Basel.

Kosova është e dyta me tri pikë, kurse Zvicra ka gjashtë pikë në vendin e parë.  Suedia e Sllovenia kanë nga një pikë.