Futboll

Kosova synon fitore për vazhduar ëndrrën e madhe

Franco Foda

Franco Foda ka dalë dy herë fitues në përballjet kundër trajnerit Matjazh Kek. Foda si selektor i Austrisë e kishte mposhtur Slloveninë e drejtuar nga Kek dy herë me rezultat 1:0. Por Kek e ka udhëhequr Slloveninë në dy fitoret e arritura kundër Kosovës. Pesë vjet më parë Kosova i humbi dy ndeshjet e Ligës së Kombeve. Në Prishtinë pësoi 1:0, kurse në Lubjanë 2:1. Të dyja përballjet e Ligës së Kombeve u zhvilluan në kohë pandemie. Kosova kishte shumë mungesa, sidomos në ndeshjen në Prishtinë.

Përballja e tretë, në rrethana krejtësisht të tjera, ndërmjet Kosovës së drejtuar nga Foda dhe Sllovenisë së udhëhequr nga Kek, do të zhvillohet të premten në Prishtinë. Ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës 2026 do të zhvillohet në “Fadil Vokrrin” e stërmbushur nga ora 20:45.

“Jam përballur dy herë si trajner i Austrisë ndaj Sllovenisë në kualifikime të ndryshme. Kemi fituar edhe 1:0. Ka qenë ndeshje e vështirë sepse Sllovenia ka defensivë të mirë, mbrojtje shumë të mirë dhe pranon pak gola. Për ne është e rëndësishme është të koncentrohemi në mbrojtje dhe të shënojmë gola. Kemi edhe publikun prapa nesh, ‘Dardanët’, duhet të luajmë para dhe të krijojmë mundësi shënimi. Kjo është e rëndësishme, të shënojmë”, ka thënë Foda të enjten në konferencë.

Ai e nisi konferencën me njoftimin se Lumbardh Dellova do të jetë tjetër mungesë e Kosovës për ndeshjen ndaj Sllovenisë. Ai është i lënduar dhe në vend të tij pritet të paraqitet Albian Hajdari. Për qendërmbrojtësin e Hoffenheimit do të jetë ndeshje debutuese. Kosovës i mungon shkaku lëndimit edhe kapiteni Amir Rrahmani.

Foda ka theksuar se lojtarët tjerë do të jenë gati për ndeshjen ndaj Sllovenisë. Ai ka thënë se rol të rëndësishëm do të luajnë shikuesit. Pret përkrahje të zjarrtë nga tribunat për të fituar përballjen e vështirë kundër Sllovenisë.

“Atmosfera e përgjithshme është e mirë. Jemi të gjithë lojtarët, përpos Dellovës, janë të përgatitur dhe janë në gjendje shumë të mirë dhe të gatshëm për lojën ndaj Sllovenisë. Tani e kemi edhe seancën e fundit stërvitore. Do të koncentrohemi në aspektin taktik. Shpresoj se nuk do të kemi të tjera lëndime. Jam më se i bindur se para publikut tonë, në fushën tonë, në vendin tonë, do të kemi paraqitje të mirë”, është shprehur Foda.

Përzgjedhësi Franco Foda ka komentuar deklaratat e përzgjedhësit të Sllovenisë, Matjazh Kek, i cili të enjten gjatë ditës deklaroi se nëse mposhten nga Kosova, nuk është fundi i botës.

“E kemi një grup mjaft të balancuar dhe sipas mendimit tim është një nga grupet më të forta. Po luajmë në shtëpi dhe skuadra tani ka vetëbesim të mirë pas fitores ndaj Suedisë. Trajneri Kek ka pasur shumë të drejtë, bota rrotullohet, jeta vazhdon. Ne do të punojmë dhe do të vazhdojmë. Në ditën e fundit do të dihet kush do ta fitojë grupin, kush do të përfundojë i dyti e kush do të kualifikohet tutje”, ka theksuar ai.

Ai insiston se synimi i Kosovës është fitorja ndaj Sllovenisë. Me fitore ndaj sllovenëve, Kosovës do t’i rriteshin shumë gjasat për të siguruar plejfoin për Kupën e Botës 2026.

“Ekipi në përgjithësi është stërvitur shumë mirë, kam përshtypje të mirë për të gjithë. Për ne është e rëndësishme të luajmë nga minuta e parë me shumë pasion dhe me shumë intensitet, në mënyrë që të fitojmë”, ka deklaruar tekniku gjerman.

Me Fodën në konferencë për media u paraqit edhe portieri Arijanet Muriq. Muriq ishte pjesë e Kosovës në dy humbjet nga Sllovenia. Por ai thotë se Kosova është rritur shumë në vitet e fundit.

“Nëse kthehemi në kohë dhe shohim zhvillimin tonë, besoj që gjatë këtyre viteve jemi zhvilluar mjaft shumë. Mund ta keni parë edhe ju. Kemi futbollistë në liga më të mira, futbollistë që janë më të gatshëm ndoshta edhe në formë më të mirë fizike. Prandaj besoj që përparimi i skuadrës gjatë kësaj periudhe, për dallim prej atëherë, është dukshëm më i madh dhe ne kemi një rast ideal për ta shfaqur këtë përparim në ndeshjen e nesërme. Shpresojmë se do të bëjmë diçka të tillë”.

Portieri i Sassuolos është i kënaqur me formën. Ai pret fitore kundër Sllovenisë.

“Secili ekip kombëtar ka futbollistë të mëdhenj, ka futbollistë kualitativë. Ashtu besoj se është edhe me Slloveninë. Nuk besoj që ka diçka për t’u veçuar për këtë përballje. Absolutisht po, edhe në ndeshjen me Suedinë, por edhe në ndeshjet tjera kemi pasur përkrahje të madhe nga publiku dhe kjo na bën të gjithëve të japim diçka më shumë, që të shfaqim diçka më shumë prej formës sonë. I jemi falënderues publikut që na ka përkrahur edhe më herët në ndeshjet e kaluara”, është shprehur portieri i parë i “Dardanëve”.

Muriq ka vlerësuar portierin me përvojë të sllovenëve, Jan Oblak.

“Absolutisht po, Oblak ka qenë dhe mbase mbetet njëri prej portierëve më të mirë në botë. Akoma mbetet prej portierëve legjendarë. Por shpresoj që në ndeshjen e nesërme do të jemi në gjendje t’i shënojmë disa gola dhe ta fitojmë ndeshjen. Për mua vetëm kjo ka rëndësi”.

Kosova e nisi kampanjën me humbje 4:0 në Basel nga Zvicra, dhe me fitore 2:0 ndaj Suedisë në Prishtinë.