Përfaqësuesja U21 e Kosovës në futboll e ka pësuar humbjen e parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian që në vitin 2027 mbahet në Shqipëri e Serbi.
Të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Spanja U21 ka fituar me rezultatin 3:1.
Ndeshja mbeti në hije të prezantimit jo të denjë të Kosovës nga Federata e Futbollit e Spanjës dhe televizioni spanjoll.
Në shkrimin paralajmërues për ndeshjen, Federata e Futbollit e Spanjës shkroi se Spanja U21 luan me “territorin e Kosovës”.
Pasoi reagimi i Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa ndërkohë në faqen zyrtare të federatës spanjolle termi “territori i Kosovës” u zëvendësua me “Federatë të Kosovës”.
Edhe televizioni spanjoll e ka shkruar se Spanja U21 luajti me “Federatën e Futbollit të Kosovës” duke shmangur qëllimshëm emrin zyrtar të Kosovës.
Para ndeshjes, himni spanjoll është fishkëllyer nga një numër i konsiderueshëm i shikuesve të mbledhur në “Fadil Vokrri”. Ndërkohë lojtarët dhe trajnerët spanjollë ishin të detyruar të respektojnë himnin e Kosovës.
Në fushë, Kosova ishte e barabartë me Spanjën, sidomos në pjesën e parë.
Spanja U21 kaloi në epërsi 1:0 në minutën e 11-të. Realizator ishte Joel Casals. Arianit Hasani e barazoi rezultatin në minutën e 22-të me golin e bukur të shënuar nga distanca.
Me rezultatin 1:1 përfundoi pjesa e parë.
Iker Bravo shënoi për 2:1 në të mirë të Spanjës në minutën e 70-të. Ndërkohë për 3:1 shënoi Nino në minutën e 95-të.
Spanja ishte favorite e madhe dhe e dëshmoi këtë në fushën e lojës, sidomos me efikasitet.
Të premten Kosova U21 luajti pa gola në udhëtim ndaj Rumanisë, ndërsa Spanja U21 fitoi 3:0 ndaj Qipros.
Më 14 tetor, Kosova U21 e pret San Marinon, ndërsa Spanja luan në shtëpi ndaj Finlandës.
