Futboll

Lojtari i Rubinit: Daku do t’ia dilte edhe te Barcelona

Mirlind Daku

Mirlind Daku

Mbrojtësi rus, Ilya Rozhkov, beson se sulmuesi Mirlind Daku do të mund të luante në secilin klub të Evropës. 

Rozhkov është mbrojtës i krahut të majtë dhe është bashkëlojtar i Dakut te Rubin Kazani. 

Ai të premten ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin “legalbet.ru”, ndërsa disa herë ka dhënë përgjigje që lidhen me sulmuesin kosovar. 

“Nëse Daku do të transferohej te Barcelona për ta zëvendësuar Robert Lewandowskin, ai nuk do të ishte i humbur aspak! Mirlindi është futbollist që mund të përshtatet në çdo ligë, në Spanjë, Gjermani, Itali. Është lojtar i nivelit shumë të lartë. Mendoj se ai mund t’ia dalë në Evropë”, ka deklaruar Rozhkov. 

Rozhkov është i lumtur që Daku nuk u largua nga kampionati rus, përkatësisht nga Rubin Kazani, ndonëse në afatin kalimtar veror pati interesim për të. 

Ai thotë se Daku është njëri prej lojtarëve më të mirë në ligën elitare ruse dhe sulmuesi më i mirë i ligës. 

Daku te Rubin Kazani është prej vitit 2023. 

Në edicionin aktual ka luajtur në 11 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa ka kontribuuar me tetë gola e një asistim. 

27-vjeçari ka kontratë deri në vitin 2029. 

“Daku është person shumë i hapur. Ai nuk pretendon të jetë ylli i skuadrës. Mund të flasësh me të lehtësisht. Në përgjithësi, i gjithë ekipi kalon mirë me njëri-tjetrin. Kemi komunikim të mirë”, ka deklaruar 20-vjeçari Rozhkov.