Tekst i përditësuar - Rolando Maran është përzgjedhës i ri i Shqipërisë në futboll. Italiani 62-vjeçar, jo shumë i njohur në futbollin evropian, është prezantuar të martën.
Në fakt Federata Shqiptare e Futbollit fillimisht njoftoi për përfundimin e bashkëpunimit me brazilianin Sylvinho, që u vlerësua lart për punën e tij. E ndërkohë e prezantoi Maranin.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMaran së fundi ishte në krye të Brescias, nga 28 janari deri më 3 korrik të vitit 2025. Skuadrën e Brescias e drejtoi edhe nga 14 nëntori i vitit 2023 deri më 9 dhjetor 2024.
Përzgjedhësi i ri i kuqezinjve gjithë karrierën si trajner e ka kaluar në Itali. Ka drejtuar edhe Pisan, Genoan, Cagliarin, Chievon, Catanian, Varesen, Vicenzan, Triestinan, Barin e Citadellan.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka falënderuar Sylvinhon dhe ekipin e tij për punën e deritashme, ndërsa ka paraqitur synimet e ardhshme të Shqipërisë. Ai ka thënë se synim është vendi i parë në grup në Ligën e Kombeve, kualifikimi në Evropianin e ardhshëm dhe po ashtu kualifikimi në Botëror.
Duka ka thënë se trajneri i ri është emër i njohur në Evropë, me përvojë 25-vjeçare në Serie A dhe Serie B.
Në konferencë për shtyp u paraqit edhe Sylvinho, që falënderoi gjithë bashkëpunëtorët e futbollistët. Braziliani ka falënderuar edhe tifozët shumë pasionantë të Shqipërisë.
“Kemi vendosur së bashku të mbyllet ky cikël prej tri vjet e gjysmë, gjatë të cilit kemi punuar shumë që ta prezantojmë mirë këtë komb. Tani e njoh më mirë Shqipërinë, Tiranën dhe dua t’iu falënderoj shumë”, ka thënë Sylvinho.
Ai vlerësoi se ia dolën, të gjithë së bashku, me “shpirt, zemër e djersë”. Sylvinho i ka dëshiruar suksese trajnerit të ri.
Sylvinho ka shtrënguar dorën me trajnerin e ri dhe më pas ka liruar skenën. Ai do të mbahet mend për kualifikimin e Shqipërisë në Euro 2024, e po ashtu për fitoren ndaj Serbisë dhe kualifikimin me kuqezinjtë në plejofin kualifikues për Botëror.
Trajneri i ri, Maran, po ashtu ka vlerësuar punën që është bërë nën drejtimin e Sylvinhos. Ai ndihet krenar për mundësinë që ta drejtojë Shqipërinë.
“Dua të falënderoj Presidentin që më dha këtë mundësi. Dua të falënderoj Sylvinhon për fjalët, dhe komplimente për atë që ka bërë në këto vite. E kam ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe për këtë keni të gjitha komplimentet e mia. Rikthehem te falënderimi për presidentin sepse po më jep mundësinë për të trajnuar një kombëtare që përfaqëson një popull me krenari të madhe. Duke qenë afër shtëpisë tuaj, është diçka që ndihet, sa herë flet me një tifoz shqiptar”, ka thënë Maran.
Ai është i bindur se objektivat do të realizohen, ndonëse ka pranuar se nuk do të jetë lehtë.
“Botërori është ëndrra ime, ashtu siç është edhe e juaja. Momentalisht ëndrra ime është ëndrra juaj – të arrij të sjell rezultate që të gjithë i dëshirojmë. Kam bindjen se me përkushtim, me një grup të bashkuar dhe me pak fat, kjo gjë mund të arrihet”, ka thënë selektori i ri i kuqezinvje.
Ai ka firmosur për dy vjet. Ndimës do ta ketë Christian Maranerin, që po ashtu ka firmosur kontratën.
Media tiranase kanë shkruar se paga mujore e Maranit do të jetë 28 mijë deri në 30 mijë euro neto.
Është pagë përgjysmë më e vogël se e Sylvinhos. Selektori i ri do të ketë bonuse për vend të parë në grupin e Ligës së Kombeve dhe kualifikim në Euro 2028.
Maran do të debutojë menjëherë muajin tjetër në miqësore.

VIDEO: