Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, i kërkoi qendërsulmuesit Nicolas Jackson të mësojë nga gabimet e tij.
Jackson të dielën, pas një ndërhyrje të ashpër ndaj Sven Botmanit në minutën e 35-të, u ndëshkua direkt me karton të kuq në disfatën që e pësoi Chelsea nga Newcastle Unitedi me rezultatin 2:0.
Jacksoni e la skuadrën me një lojtar më pak në fushë dhe kjo i kushtoi londinezëve me humbje.
Senegalezi Jackson do t’i mungojë Chelseat në dy ndeshjet e fundit kampionale, ndaj Manchester Unitedit dhe Nottingham Forestit.
“Nuk kam folur me Nicon. Pa dyshim që ai duhet të mësojë nga kjo, veçanërisht në këtë fazë të edicionit. Duhet t’i shmangësh këto lloj gjërash. Shpresojmë që të mësojë për të ardhmen”, ka thënë Maresca, shkruan të hënën “Reuters”.
Chelsea pas 36 ndeshjeve të zhvilluara në kampionatin anglez ka 63 pikë dhe e zë vendin e pestë. Pesë pozitat e para dërgojnë në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Chelsea po lufton që deri në fund të edicionit të mbetet në zonën “Champions”. Për pozitat që dërgojnë në Ligën e Kampionëve po luftojnë edhe Aston Villa që ka 63 pikë në vendin e gjashtë dhe Nottinghami që ka një pikë më pak në pozitën e shtatë.