Sulmuesi i Meksikës, Raul Jimenez, bëri dy homazhe prekëse për shokun e tij të ndjerë të skuadrës, Diogo Jota, gjatë finales së CONCACAF Gold Cup kundër SHBA-së në Houston, të dielën mbrëma.
Para fillimit të ndeshjes, Jimenez doli në fushë duke mbajtur veshur një fanellë të Meksikës me emrin “Diogo J” në shpinë. Fanella kishte numrin që e mbante Jota, 20, të cilin skuadra e fundit e portugezit, Liverpooli, e ka tërhequr në nderim të tij.
Jimenez dhe Jota kanë luajtur së bashku për dy edicione te Wolverhamptoni.
Jota dhe vëllai i tij vdiqën të enjten në një aksident me veturë në Spanjë. Vetura e tyre doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët, ka njoftuar policia spanjolle. Jota ishte 28-vjeçar, kurse vëllai i tij, Andre, ishte 25-vjeçar.
“Me Diogon ishim miq të shkëlqyer te Wolvesi. Kemi ruajtur komunikimin. Ndanim momente të mrekullueshme, përveç gjërave të rëndësishme me të cilat po merreshim. Është e vështirë të pranosh këtë për një shumë të afërm tuajin, që ishte shok i shkëlqyer”, ka thënë Jimenez.
Pasi shënoi golin e barazimit 1:1 për Meksikën ndaj SHBA-së, në minutën e 27-të, Jimenez u ul në fushë dhe bëri festimin karakteristik të Jotas, që përfshinë lojën e imagjinuar me një kontrollues të lojërave elektronike.
Gjatë festës, Jimenez vendosi fanellën e Meksikës me emrin dhe numrin e Jotas, mbi këmbët e tij.
Sulmuesi i PSG-së, Ousmane Dembele, bëri festë të njëjtë pas golit në Kupën e Botës për Klube ndaj Bayernit. Njëjtë veproi edhe sulmuesi anësor i Real Salt Lake, Diogo Gonçalves, që kishte luajtur bashkë me Jotan te të rinjtë e Portugalisë. Edhe Kylian Mbappe i Real Madridit bëri festë në nderim të Jotas, vdekja e të cilit pikëlloi botën e futbollit.
Diogo Jota ishte tifoz i madh i lojërave elektronike. Ai ishte lojtar i shquar i “EA Sports”. Ishte edhe pronar i ekipit të e-sports “Galaxy racer”.
Meksika e fitoi 2:1 finalen e Gold Cup ndaj SHBA-së. Chris Richards e shënoi golin për amerikanët në minutën e katërt. Golin e fitores për Meksikën e realizoi Edson Alvarez në minutën e 77-të.
34-vjeçari Raul Jimenez është te Fulhami nga viti 2023. Te Wolvesi ishte nga viti 2018 e deri në vitin 2023. Ka luajtur edhe për Atletico Madridin e Benfican, si dhe për American në Meksikë.