Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Imazhet e Nick Sidleit sjellin ngjyrat e Kosovës së lirisë e shpresës

Ekspozita KFOR

“KFOR and Kosova +25” e hapur të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës përmbledh fotografi të realizuara gjatë një periudhe njëvjeçare nga Nick Sidle, i cili kishte ndjekur nga afër veprimtarinë e trupave paqeruajtëse. Por fokusi i tij nuk mbetet vetëm tek aspekti ushtarak.

Në shënim të Ditës së Çlirimit të Kosovës është hapur ekspozita dokumentare “KFOR and Kosova +25”, duke sjellë para publikut një rrëfim njerëzor për Kosovën e viteve të para pas luftës. Përmes objektivit të fotografit dokumentar britanik, Nick Sidle, ekspozita shpalos një mozaik pamjesh nga periudha e pasluftës, duke dokumentuar jo vetëm angazhimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, por edhe jetën e përditshme të qytetarëve që po përpiqeshin të rindërtonin jetën e tyre pas luftës

Të shkrepura para më shumë se një çerek shekulli, në Kosovën e paqes, fotografitë që dokumentuan ditët e para të lirisë, shpresës, rindërtimit, por edhe të pasigurisë, janë rikthyer në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Në shënim të Ditës së Çlirimit të Kosovës është hapur ekspozita dokumentare “KFOR and Kosova +25”, duke sjellë para publikut një rrëfim njerëzor për Kosovën e viteve të para pas luftës.

Nëpërmjet objektivit të fotografit dokumentar britanik, Nick Sidle, ekspozita shpalos një mozaik pamjesh nga ajo periudhë, duke dokumentuar jo vetëm angazhimin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, por edhe përditshmërinë e qytetarëve që po përpiqeshin të rindërtonin jetën e tyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ekspozita ishte prezantuar për herë të parë në vitin 2001 dhe është rikthyer në formë të restauruar e të zgjeruar.

Përmbledh fotografi të realizuara gjatë një periudhe njëvjeçare nga Sidle, i cili kishte ndjekur nga afër veprimtarinë e trupave paqeruajtëse nga nëntë shtete të ndryshme. Por fokusi i tij nuk mbetet vetëm tek aspekti ushtarak. Në fotografi shfaqen nxënës serbë të shoqëruar nga ushtarët amerikanë për në shkollë, takime të ushtarëve me banorë në Bardhosh, vizita në shkollën fillore të Buriçës, takime me përfaqësues të LDK-së në Artanë, operacione për kontrollin e armëve, shpërndarje ndihmash humanitare, kontrolle në pikat kufitare, trajtim i civilëve të lënduar, por edhe momente kur ushtarët përfshihen në aktivitete argëtuese me fëmijët në rrethana ende të brishta pas luftës.

Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, ka thënë se fotografitë janë dëshmi të një periudhe vendimtare për vendin.

“Fotografitë e realizuara janë dokument e dëshmi e jetës së përditshme, janë shpresë si një dëshmi e pasigurisë dhe dëshmi e fillimit të një kohe të re për vendin tonë. Ato na kujtojnë se historia jo gjithmonë është ajo që shkruhet në vepra, historia është ajo që ndërtohet me përgjegjësi, që fitohet nga kthimi në shtëpi, në pritje, në takimet e vogla të cilat mbajnë peshën e madhe të një kombi”, ka thënë ajo.

Ekspozita me fytyrat, vendet e momentet e dokumentuara shpalos imazhet e fillimit të një kohe të re

Zëvendësministrja në detyrë e Kulturës, Nora Arapi-Krasniqi, ka thënë ekspozita e sjell historinë përmes perspektivës njerëzore.

“Historia e vërtetë e një populli ruhet në kujtesën e njerëzve dhe përjetimet e tyre në sfidat që kanë kaluar dhe në shpresën që i ka mbajtur edhe në ditët më të vështira. Ekspozita ‘KFOR and Kosova +25’ e cila është vazhdimësi e projektit të nisur në vitin 2024 na fton pikërisht në këtë perspektivë njerëzore. Ajo nuk është vetëm një dokument i fotografive të një periudhe historike, është një dëshmi e gjallë e një kapitulli të ri për Kosovën i treguar nëpërmjet syrit të fotografit Nick Sidle”, ka thënë ajo.

E veçantë ka qenë ngjarja në Bibliotekën Kombëtare për faktin se është zhvilluar paralelisht me njërin prej aktiviteteve të organizatës “Manchester City of Literature” në qytetin britanik. Ekspozita “KFOR and Kosova +25” ka qenë aktiviteti i mbajtur enkas për shënimin e Ditës së Çlirimit të Kosovës në 27-vjetorin e ngjarjes historike.

Drejtori i “Manchester City of Literature”, Ivan Wadeson, ka thënë se fotografitë bartin mesazhe që vazhdojnë të jenë aktuale edhe sot.

“Një histori e komunitetit që kapërcen ndarjen dhe shikon drejt një të ardhmeje më të mirë. Këto fotografi na kujtojnë se pavarësisht nga kombësia, besimi, kultura apo prejardhja, ne, së pari jemi qenie njerëzore. Ato na kujtojnë rëndësinë e sfidimit të paragjykimeve, jotolerancës dhe urrejtjes në të gjitha format e saj. Ata na kujtojnë se çdo shpirt ka këndvështrime të ndryshme dhe se të kuptuarit fillon kur dëgjojmë njëri-tjetrin. Prandaj, kjo ekspozitë nuk ka të bëjë vetëm me historinë, por me mirëseardhjen, ndjeshmërinë dhe mirësinë”, ka thënë ai.

Duke folur për lidhjen mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, Wadeson ka kujtuar mikpritjen që qytetarët e Manchesterit u kishin ofruar refugjatëve shqiptarë gjatë luftës.

“Në vitin 1999, njerëzit e Mançesterit demonstruan ato vlera duke mirëpritur familjet që ikin nga konflikti. Disa nga ata që kanë ndërtuar jetë të reja këtu janë me ne sot dhe ne jemi të nderuar nga prania e tyre. Faza tjetër e këtij projekti do të shohë zhvillimin e një ekspozite të përhershme në Muzeun Kombëtar të Kosovës, duke përfshirë zërat dhe përvojat e atyre jetëve dhe atyre jetëve të kapura në imazhe”, ka thënë ai duke shtuar se projekti shkon përtej dokumentimit historik.

“Ekspozita dokumenton një moment unik në histori. Ajo tregon historinë e paqeruajtësve që ndihmuan sjelljen e sigurisë, stabilitetit në një vend që sapo kishte dalë nga konflikti. Por përtej kësaj historie ushtarake qëndron diçka edhe më e fuqishme: historia njerëzore, një histori e njerëzve të zakonshëm që rindërtojnë jetën e tyre në rrethana të jashtëzakonshme. Një histori elasticiteti, guximi dhe shprese”, ka thënë Wadeson.

Lord George Robertson, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, i cili kishte mbështetur organizimin e ekspozitës që në prezantimin e saj të parë, ka thënë se imazhet projektojnë jo vetëm fitoren ushtarake e diplomatike.

“Ekspozita është inkurajuese, frymëzuese, është edukative dhe historike, dhe të gjithë njerëzit në parim, dhe në të vërtetë të gjithë njerëzit e Manchesterit dhe më gjerë, kanë shumë për të mësuar duke parë këtë ekspozitë dhe duke kuptuar se çfarë thonë ekspozitat dhe fotografitë në të vërtetë. Sepse thërret mesazhin shumë të qartë se detyra mund të triumfojë mbi të keqen dhe se Evropa mund të ndërhyjë për të mbrojtur jetën dhe lirinë, dhe se njerëzit e të gjitha etnive mund të jetojnë së bashku me ndihmë”, ka thënë ai.

E organizuar në Ditën e Çlirimit, ekspozita me fytyrat, vendet e momentet e dokumentuara nga britaniku Nick Sidle shpalos imazhet e fillimit të një kohe të re.  Projekti pritet të zgjerohet më tej drejt krijimit të një ekspozite të përhershme me rreth dyqind fotografi dhe një arkiv më të gjerë historik në Muzeun Kombëtar të Kosovës.