Sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi, është ndër lojtarët më të vlerësuar në La Liga.
Gazeta spanjolle “AS” ka shkruar të hënën për lojtarët që e kanë pranuar më së shpeshti këtë edicion çmimin si më i miri i ndeshjes.
Pas çdo dueli në La Liga, ndahet çmimi “MVP” për lojtarin më të dalluar. Reprezentuesi i Kosovës, Muriqi, ka pranuar pesë herë çmimin si lojtari më i mirë. Nga pesë herë janë vlerësuar edhe Jorge de Frutos, Aaron Escandell dhe Nico Williams.
Ndërsa sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe, është futbollisti që plot nëntë herë u shpall më i miri i ndeshjes.
31-vjeçari Muriqi është duke kaluar formë të mirë këtë edicion.
Sulmuesi nga Prizreni në 16 ndeshjet e zhvilluara ka shënuar nëntë gola. Ai është futbollisti kryesor i Mallorcas në fazën e sulmit.
Skuadra e Muriqit, Mallorca, ka 18 pikë dhe e zë vendin e 13-të në La Liga.