Futboll

Ndonëse e suspenduar nga FIFA e UEFA, Rusia synon ta organizojë Evropianin 2032

Rusia

Rusia është e gatshme ta organizojë Kampionatin Evropian të vitit 2032 në futboll, nëse Italia dështon të përmbushë obligimet e saj si organizatore. Kështu të paktën ka deklaruar presidenti i unionit rus të futbollit, Alexander Dyukov.

Dyukov ka dhënë këtë deklaratë, ndonëse Rusia ka disa vjet që është e suspenduar nga FIFA dhe UEFA. Klubet dhe përfaqësueset e Rusisë nuk janë pjesë e garave ndërkombëtare që kur nisi pushtimi i Ukrainës, në vitin 2022.

Por suspendimi që është në fuqi nuk ka penguar Dyukovin që të shprehë gatishmërinë e vendit të tij për të organizuar ngjarjen më të rëndësishme evropiane. Ka brenga nëse Italia do të jetë e gatshme për ta organizuar Evropianin pas shtatë vjetësh.

Aktualisht pritet që Italia ta organizojë Evropianin së bashku me Turqinë.

Por ka paqartësi lidhur me vendet që do të shfrytëzohen për ndeshjet e Kampionatit Evropian të vitit 2032. Priten investime për renovimin e stadiumeve dhe ndërtimin e stadiumeve të reja. “San Siro” është një prej stadiumeve ikonike që pritet të transformohen.
I pyetur nëse Rusia është gati të shfaqet nëse Italia vazhdon të ketë telashe, Dyukov është përgjigjur: “Rusia është gjithnjë gati”.

Ai foli për mediumin rus “Sport24” pas ndeshjes së Rusisë me Bolivinë.

Mediumi tjetër rus, “Izvestia” ka qartësuar se nuk ka ofertë zyrtare për organizim të ngjarjes. Sipas këtij mediumi, unioni rus i futbollit ka bërë aplikimin në vitin 2022.

Më herët këtë vit, Ezio Simonelli, president i ligës italiane, është shprehur i brengosur pas kritikave të presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin lidhur me infrastrukturën e futbollit në Itali.

“Jam vërtetë i brengosur për Euro 2032”, kishte theksuar Simonelli.
“A është kandidatura në rrezik? Shpresoj të jetë vetëm brengë e imja, por kur presidenti i UEFA-s thotë se stadiumet tona janë në gjendje kome dhe Evropiani është vetëm gjashtë vjet larg, ne rrezikojmë të mos lëmë përshtypje të mirë në nivelin ndërkombëtar. Është e turpshme që pos në Udine, Bergamo dhe Torino, stadiumet në vendet tjera janë në gjendje të keqe. Çeferini ka kritikuar ashpër stadiumet tona dhe unë pajtohem me të”.

Ndonëse jashtë garave ndërkombëtare, Rusia po ia del të gjejë kundërshtarë për miqësore. Këtë vit i ka luajtur plot tetë miqësore, ndërsa do të luajë edhe me Perunë dhe Kilin.

Në Rusi është organizuar Botërori 2018.