Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Në Bratislavë, rrugës për në Amerikë

kosova

I bereqetshëm doli të jetë shiu që ra gjithë të enjten në Bratislavë të Sllovakisë. I bereqetshëm për Kosovën e shqiptarët, jo për sllovakët, që u dukën fare pak gjatë gjithë ditës në rrugët e pjesës së vjetër të qytetit buzë Danubit dhe e lëshuan në heshtje e kokulur “Tehelne pole-n”, stadiumin modern në lagjen “Nove Mesto” të Bratislavës.

Kosova nuk e ka një objekt të tillë, por të enjten kishte shumë e shumë gjëra që Sllovakia nuk i kishte. 
Kishte mbështetësit e zjarrtë që “pushtuan” Bratislavën dhe “ngjyrosën” me ngjyra të flamurit rrugët e lokalet e pjesës më të bukur të kryeqendrës sllovake, duke ardhur nga shumë pjesë të botës. Kishte këngën e festën të cilën nuk e ndali shiu i rrëmbyeshëm. Kishte pasionin dhe dëshirën për t’u shfaqur para botës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

 

Në mbrëmje, në fushën e stadiumit “Tehelne pole” kishte 11 yje, që u quajtën edhe “gladiatorë”. Afër fushës e kishte një strateg, më të mirin që e ka pasur ndonjëherë sa i takon futbollit, që gjatë lojës kishte rastin kur shfaqej i vrullshëm ndaj ndonjë lojtari që nuk po kryente në përpikëri ndonjë detyrë, ndërsa pas lojës ishte i qetë, i matur dhe pa asnjë shenjë të gëzimit të tepruar.

Në tribuna, Kosova i kishte ndoshta një të katërtën e 20 mijë shikuesve sa ishin gjithsej në Stadiumin Nacional të Sllovakisë. Por i kishte të duhurit. I kishte ata që e ndienin lojën, që e ëndërronin suksesin dhe që bënin çdo gjë për të përkrahur akterët kryesorë, futbollistët në fushë.

Shqiptarë kishte në çdo anë të stadiumit, ndonëse sllovakët u angazhuan maksimalisht për të pamundësuar këtë, duke kushtëzuar shitjen e biletave me posedimin e një numri të telefonit të Sllovakisë dhe duke vënë kufizime të tjera. Por mbështetësit e Kosovës, nga vendi e nga shtete evropiane, gjetën mënyrat për të siguruar bileta dhe madje shfaqën flamurin e shtetit dhe flamurin kombëtar në çdo tribunë.

Vetëm në raste sllovakët ishin më të zëshëm se shqiptarët. Në shumicën e kohës animi ishte në anën e atyre që festuan në fund. 

Në arenë, lojtarët ishin në nivelin e pritur. Shënuan katër gola, një më shumë se nikoqirët, për t’iu afruar në vetëm një fitore suksesit të pamenduar më parë  - kualifikimit në Kampionatin Botëror të futbollit.

Kishte edhe gabime, kishte momente të zbehta, kishte edhe dalje nga skemat e përzgjedhësit Franco Foda. Por kishte edhe shpirt luftarak, përkushtim, efikasitet në momentet e duhura dhe dashuri për fanellën. Kjo e bëri dallimin në fund.

Festa, ashtu si pritej, ishte plot pasion. Me flamuj, të shtetit e kombëtar, me këngë, përqafime e ngritje duarsh.

“Por nesër i kthehemi përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme”, tërheq vërejtjen gjermani Foda, kreatori i këtij suksesi, bashkë me drejtuesit e Federatës.

Ai e di që është bërë punë e madhe, është arritur sukses i mahnitshëm. Por po ashtu e di që me një fitore tjetër ky grup lojtarësh, bashkë me të, shndërrohet në “grup legjendar”. Shndërrohet në ekipin që solli suksesin që deri në tetorin apo nëntorin e vitit të kaluar mund të jetë dukur vetëm një ëndërr e largët.

Botërori në SHBA, Kanada e Meksikë është një fitore afër, por edhe një fitore larg. Të martën është momenti i së vërtetës – finalja e plejofit. Në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, vjen ekipi i Turqisë, i mbushur me yje e emra të njohur. I tillë ishte edhe ekipi që përfaqëson Suedinë. Edhe ai i Sllovenisë, e edhe Sllovakia ka emrat e saj të njohur e të dëshmuar.

Por vrulli “dardan” nuk u ndal dot. Të martën shpresohet “të marr me vete” edhe Turqinë.

“Po t’i zinte stadiumi edhe 100 mijë shikues do të ishin të martën”, është i vetëdijshëm Foda për euforinë rreth ekipit të futbollit që e drejton me shumë kompetencë.  

Pas festës së gjatë dhe intervistave të shumta të lojtarëve, Kosova e la Bratislavën në natën mes të enjtes e të premtes. 

Shiu, nuk u ndal. Edhe mund të mos ndalet në ditët e ardhshme, me shpresë që të martën të jetë i bereqetshëm për nikoqirët, jo mysafirët. 

Bratislava, ashtu si shpresohej, ishte stacion drejt Amerikës. 

Për Kosovën, “ëndrra amerikane” aktualisht ka të bëjë me futbollin, me “Fadil Vokrrin” si ndalje të fundit drejt saj. Këtë tani po e ëndërrojmë të gjithë.

Kampionati Botëror më nuk është ëndërr e largët. Është “gjë e prekshme”. Është një fitore afër.