Futboll

Neymar, i turpëruar dhe në lot pas humbjes 6:0 të Santosit

neymar

(AP) - I turpëruar dhe në lot pas asaj që e quajti një nga ditët më të këqija të jetës së tij në një fushë futbolli, Neymar ua dha tifozëve të Santos të drejtën të protestonin dhe madje të ofendonin pas humbjes 6:0 të ekipit në shtëpi në kampionatin brazilian të futbollit.

Humbja e së dielës ndaj Vasco da Gamës bëri që Santos ta shkarkonte trajnerin Cleber Xavier.

“Jam totalisht i zhgënjyer me lojën tonë”, tha Neymar. “Tifozët kanë të drejtë për të gjitha llojet e protestave, natyrisht pa e tepruar. Por ata kanë të drejtë të shajnë, të ofendojnë. Është një ndjenjë shumë e turpit, nuk e kisha përjetuar kurrë këtë në jetën time, por për fat të keq ndodhi”, ka thënë Neymar.

Neymar u largua nga fusha duke qarë. Ai u ngushëllua nga një anëtar i stafit të Santos pas një ndeshjeje ku Philippe Coutinho i Vascos shënoi dy herë.

“Lotët ishin për shkak se ishim të mërzitur, për gjithçka” tha ai. “Fatkeqësisht nuk munda të ndihmoja në asnjë mënyrë. Ne ishim zhgënjyes, ky është realiteti.

Neymar, ish-ylli i Barcelonës dhe Paris Saint-Germain, u rikthye në klubin e fëmijërisë në janar pas një periudhe zhgënjyese në Arabinë Saudite dhe nënshkroi një zgjatje të kontratës në qershor, që e mbante atë në Santos deri në fund të vitit.

Xavier e mori drejtimin e klubit brazilian në prill.

“Klubi e falënderon trajnerin për punën e bërë”, shkruan në njoftimin e Santosit “dhe i uron fat në vazhdimin e karrierës së tij”.

Santosi, i njohur edhe si klubi i legjendës braziliane Pele, është në vendin e 15-të në ligën e parë braziliane me 20 ekipe, dy pikë mbi zonën e rënies nga kategoria.