Që në janar, Florent Muslija e refuzoi mundësinë e ndryshimit të klubit.
“Asnjëherë nuk e kam shqyrtuar një lëvizje të tillë”, tha lojtari ofanziv i Freiburgut për një transferim në dimër, për shkak të kohës së limituar në fushë.
“E ndiej se çmohem në klub dhe ndihem shumë komod në ekip”.
Reprezentuesi i Kosovës, që i ka 32 ndeshje e një gol, ishte realist për suksesin e ekipit të Freiburgut, që u bë i mundur edhe me paraqitjet e mira të rivalit të tij për të njëjtën pozitë.
“Ka shumë dallim në cilësi në mes të Bundesliga 1 dhe Bundesliga 2, sidomos në këto pozita. Duhet të pres për momentin tim dhe të jem gati”.
Gjysmë viti më vonë, përkundër sigurimit të Ligës së Evropës, realiteti i Muslijës është i hidhur: nuk kishte më hapësirë për të dhe raporti sportiv për një vit e gjysmë me klubin doli të jetë një keqkuptim komplet.
Transferimit të tij i parapriu një entuziazëm jo i vogël.
“Ne jemi të dhënë pas shifrave, jo për para të vogla”, tha trajneri i atëhershëm i Paderbornit, Lukas Kwasniok, në janar të vitit 2024, kur Freiburgu po e joshte Muslijën.
Dy javë më vonë palët ranë dakord. Ai i kishte edhe gjashtë muaj kontratë me Paderbornin, por u transferua për një milion euro. Kjo dëshmon se Freiburgu e donte me të vërtetë sulmuesin, ndër të tjera edhe për shkak të lëndimeve që i kishte në skuadër. Muslija u integrua shpejt dhe mori lëvdata të përsëritura për përpjekjet në stërvitje.
Megjithatë, roli që nga fillimi i vogël si forcë sulmuese, shkonte duke u tkurrur.
Në gjashtë muajt e parë, që u vlerësuan si periudhë përshtatjeje, ai kishte dhjetë paraqitje si zëvendësues në ligë dhe tri në Ligën e Evropës. Pas ndryshimit të trajnerit, Muslija i bëri edhe nëntë paraqitje tjera si zëvendësues, në pjesën e parë të edicionit 2024/2025 të elitës gjermane. Dhe më pas e humbi plotësisht rastin për të startuar. Me goditje “Panenka” të penalltisë, futbollisti i gjatë 172 centimetra, e inicoi humbjen 3:1 nga Bielefeldi në ndeshjen për kupë. Ai dështoi të hyjë vërtetë në lojë dhe u zëvendësua pas pjesës së parë.
Ajo paraqitje e Muslijës në fund të nëntorit 2024, ishte e fundit me ekipin profesionist të Freiburgut. Në mars ai i luajti dy ndeshje me ekipin U23 në Regionalliga. Edhe pse problemet me kyçin e këmbës e munduan në katër javët e para të vitit, mungesa e perspektivës sportive vështirë se do të mund të ishte më e dukshme.
Për shkak të mungesës së ritmit dhe dinamikës, Musija mbështetet në aftësitë e tij me topin dhe e merr përgjegjësinë e goditjeve standarde. I ngjan kështu golashënuesit më të mirë të Freiburgut, Vincenzo Grifo, i cili luan në krahun e majtë. Por Muslija nuk e ka praninë, kreativitetin dhe efikasitetin e lojtarit me nëntë paraqitje për Italinë. 26-vjeçari, Muslija, e kishte të pamundur të stabilizohet edhe si numër 10.
Freiburgu tashmë ka firmosur me tre lojtarë sulmues, Yuito Suzuki, Cyriaque Irie dhe Derry Scherhant. Është logjike që tani Muslija të kërkojë për transferim të verës. Ndonëse trajneri e konsideron nivelin e aftësive të tij si të pamjaftueshëm për ekipin e pestë të Bundesligës, Muslija tregoi se mund ta bëjë dallimin në nivelin më të ulët. Te Paderborni ai i kishte 23 gola e 17 asistime në 65 paraqitje në Bundesliga 2.
Ka kërkesa për të nga kategoria e dytë, e po ashtu nga klube jashtë Gjermanisë. Por Muslija ka qëllim të qartë – të qëndrojë në Bundesligë. Ai është i përkushtuar të dëshmojë që i takon Bundesligës dhe po e pret ofertën e duhur.
Ndoshta edhe për faktin se 17 paraqitjet me Hannoverin në Bundesligë në edicionin 2018/19 ishin të zbehta, megjithëse i shënoi dy gola. Hannoveri nuk e fitoi asnjërën prej atyre ndeshjeve dhe u largua nga Bundesliga. Duke u bazuar në këtë, duket se do të kalojë shumë kohë para se një transferim të bëhet.