Mungesa e Amir Rrahmanit vlerësohet “goditje e madhe” për Kosovën. Pos lider shumëvjeçar i mbrojtjes, Rrahmani është edhe kapiten dhe lojtar me përvojë në nivelin më të lartë evropian.
Për shkak të një lëndimi muskulor të pësuar fundjavën e kaluar derisa po luante për kampionin e Italisë, Napolin, Rrahmani do t'i mungojë Kosovës në ndeshjet e fundit të marsit, që i takojnë plejofit për kualifikim në Botërorin e këtij viti. Më 26 mars, Kosova luan me Sllovakinë në Bratisllavë. Më 31 mars në Prishtinë, Kosova luan me Turqinë apo Rumaninë. Nëse fiton në Sllovaki, ndeshja në "Fadil Vokrri" do të jetë finale e plejofit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMungesa e Amir Rrahmanit është konfirmuar të enjten edhe nga drejtues të ekipit përfaqësues të Kosovës.
Megjithatë, vlerësohet se Kosova ka opsione të bollshme për vijën e fundit të mbrojtjes. Ndeshjet e kualifikimeve të rregullta për Botëror e dëshmuan këtë.
Rrahmani ishte lënduar në ndeshjen e parë kualifikuese, atë ndaj Zvicrës në udhëtim, më 5 shtator. Dhe selektori Franco Foda është dashur të formojë ekipin pa të për tri ndeshjet pasuese.
Pas humbjes së thellë, 4:0, nga Zvicra dhe lëndimit të Baton Zabërgjës pak minuta para ndeshjes me Slloveninë, Foda hoqi dorë nga mbrojtja me katër lojtarë dhe vendosi për mbrojtje më të ngjeshur, me pesë lojtarë, dy prej të cilëve marrin detyra ofanzive kur ekipi është në sulm.
Pasi ndeshja e 8 shtatorit ndaj Suedisë u fitua 2:0, Foda nuk hoqi dorë prej atij sistemi.
Ndaj Suedisë në "Fadil Vokrri" në mbrojtje luajtën Fidan Aliti, Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi. Në krahë ishin Mërgim Vojvoda e Dion Gallapeni.
Për ndeshjet e tetorit opsionet në mbrojtje u rritën ndjeshëm me ardhjen e Albian Hajdarit. Pos Hajdarit, në barazimin me Slloveninë startuan në qendër edhe Fidan Aliti e Ilir Krasniqi, derisa Dellova mungoi. Ndeshja e 10 tetorit përfundoi pa gola.
Menjëherë më 13 tetor, Kosova fitoi 1:0 në Suedi. Hajdarit e Krasniqit në këtë ndeshje në qendër të mbrojtjes iu bashkua Kreshnik Hajrizi. Munguan Rrahmani, Aliti dhe Dellova.
Për ndeshjet e nëntorit u kthye kapiteni Rrahmani. Ndaj Sllovenisë në fitoren 2:0, Amir Rrahmani luajti përkrah Hajdarit e Dellovës. Kjo treshe pritej të startonte edhe ndaj Sllovakisë.
Ndërkohë me Zvicrën në mbyllje të kampanjës kualifikuese, Hajdari u pushua nga Foda, kurse krahas Rrahmanit e Dellovës luajti Aliti me përvojë.
Gjithë këta mbrojtës të qendrës u vlerësuan për paraqitjet që kishin. Po ashtu rezultatet, përkatësisht ndeshjet ndaj Suedisë e Sllovenisë pa pranuar gol, i bëjnë opsione të besuara.
Foda sërish pritet të zgjedhë mes Hajdarit, Dellovës, Alitit, Krasniqit e Hajrizit për treshen e qendrës së mbrojtjes. Prej ndeshjes së 18 nëntorit ndaj Zvicrës nuk është se doli ndonjë lojtar në pah që do të mund të përfshihej direkt në njëmbëdhjetëshen startuese. Madje edhe për stol vështirë se Foda do të heq dorë nga lojtarët që i përzgjodhi në vjeshtë.
Por shumë do të varet nga gjendja fizike e lojtarëve, përkatësisht nëse do të ketë lëndime të tjera të lojtarëve bartës.