Futboll

Pas pesë vjetësh Kosova e pret Slloveninë, tani në rrethana të tjera

Kosova

Pa lojtarët kryesorë dhe pa mbështetjen e shikuesve, përfaqësuesja e Kosovës në futboll, pesë vjet më parë, më 11 tetor 2020, kishte pësuar disfatë 1:0 në Prishtinë nga Sllovenia. Humbja nga sllovenët ishte goditja e dytë brenda pak ditësh për “Dardanët”.

Kosova kishte luajtur pa shikues shkaku pandemisë dhe pa yjet Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Milot Rashica e Hekuran Kryeziu ndaj Sllovenisë

Kosova ndaj Sllovenisë, në rrethana krejtësisht ndryshe, do të përballet sërish të premten, më 11 tetor në Prishtinë. 

Këtë herë me tribunat plot, me atmosferë pozitive dhe një skuadër të kompletuar me emra të konfirmuar. Atmosfera rreth përfaqësueses është ndjeshëm më optimiste pas fitores 2:0 ndaj Suedisë.

Me fitoren ndaj Suedisë, Kosova është kthyer në garë për kualifikim në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.

Në grupin ku bën pjesë Kosova, pas dy ndeshjeve, Zvicra ka gjashtë pikë, ndërsa Kosova është e dyta me tri. Suedia e Sllovenia kanë nga një pikë.

Ndeshja Kosovë – Slloveni e luajtur pesë vjet më parë i takoi edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s, në të cilën garë Kosova ishte kthyer pas dështimit në plejof për kualifikim në “Euro 2020”. Kosova kishte pësuar në Shkup 2:1 nga Maqedonia e Veriut.

Rrahmani, Muriqi, Rashica e Kryeziu kishin munguar edhe kundër Maqedonisë së Veriut. 

Muriqi, Rashica e Kryeziu i munguan Kosovës shkaku lëndimeve, kurse për Rrahmanin ishte raportuar se nuk e kishte liruar Napoli shkaku situatës me koronavirus.

Në fakt, kishte bërë bujë lajmi për praninë e Goran Pandevit në ndeshjen Maqedonia e Veriut – Kosova, dhe mosprania e Amir Rrahmanit. Kishte akuza se nuk u punua shumë që Rrahmanit t’i mundësohej ardhja për ta përfaqësuar Kosovën.  Pandev është pensionuar, ndërsa Rrahmani vazhdon të paraqitet për Kosovën. Është kapiten i Kosovës. 

Por Rrahmani nuk do të jetë pjesë e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji, ndaj Sllovenisë dhe Suedisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Kapiteni Rrahmani mungon shkaku lëndimit.
Por ndaj Sllovenisë pjesë e këtij grumbullimi janë Muriqi dhe Rashica, që atëbotë mungonin shkaku lëndimeve. Kryeziu është pensionuar.

Muriqi është sulmuesi kryesor i Kosovës, ndërsa rol të rëndësishëm luan edhe Rashica. 

Në mungesë të Muriqit, sulmin e Kosovës e kishte udhëhequr Benjamin Kololli. Kololli ishte i përkrahur nga treshja Arbër Zeneli në krahun e majtë e Edon Zhegrova në krahun e djathtë. Pas Kolollit kishte qëndruar Bersant Celina. Kololli, Zeneli e Celina nuk janë pjesë e këtij grumbullimi.

Herolind Shala që luajti përkrah Valon Berishës po ashtu nuk është më pjesë e Kosovës. Berisha vazhdon të ftohet te Kosova, ndonëse po ka pak hapësirë për shkak të konkurrencës së madhe në mesfushë. Në vend të tij po luan Elvis Rexhbeçaj, ndërsa mesfusha e “Dardanëve” së fundi është forcuar edhe me Leon Avdullahun.

Në vijën e mbrojtjes ndaj Sllovenisë më 10 tetor 2020, kishin luajtur Leart Paqarada në krahun e majtë e Florent Hadërgjonaj në krahun e djathtë. Në qendër të mbrojtjes ishin paraqitur Fidan Aliti e Ibrahim Dresheviq. Ky i fundit po ashtu nuk ftohet më nga Kosova, ndërsa për ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Suedisë mungon edhe Florent Hadërgjonaj. Paqarada mungon shkaku lëndimit. Nuk është në krye të përfaqësueses as Bernard Challandes. Kosova drejtohet nga përzgjedhësi Franco Foda.

I pazëvendësueshëm në portë mbetet Arijanet Muriq. 

Në ndeshjen ndaj Sllovenisë dhe Suedisë në qendër të mbrojtjes pritet të paraqitet Albian Hajdari, që vendosi ta përfaqësoj Kosovën në nivel të të rriturve. Qendërmbrojtësi i Hoffenheimit la Zvicrën për Kosovën. 

Me Hajdarin, Kosova “kompleton” njëmbëdhjetëshin e lojtarëve që bëjnë karrierë në klubet e top-ligave evropiane.  

Asnjëherë përfaqësuesja e Kosovës nuk ka pasur kaq shumë futbollistë në kampionatet e mëdha të kontinentit. 

Natyrisht, me këtë rritet edhe kërkesa për kualifikim në një ngjarje të madhe futbolli, Botëror apo Evropian.

“I arritshëm është edhe plejofi, por edhe kualifikimi”, tha drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti për KOHËN ditë më parë.

Kosova kishte humbur nga Sllovenia edhe më 15 nëntor 2020. Kishte humbur 2:1 në Lubjanë.