Futboll

Pasi shkroi histori me Celticun, Sadiku merr drejtimin e kampionit suedez

Elena Sadiku

Elena Sadiku është kthyer në elitën e Suedisë për futbolliste dhe në edicionin e ardhshëm do të jetë trajnere e Hackenit.

Hackeni në edicionin e kaluar në “Allsvenskan”, që është elita e Suedisë, e fitoi titullin me 64 pikë. Për Sadikun, trajneren më të suksesshme shqiptare në futboll, do të jetë sfidë e madhe. Dhe hap i madh në karrierë po ashtu.

Ajo për dy vjet e udhëhoqi skuadrën e njohur skoceze, Celtic, dhe pati suksese historike. E fitoi titullin për herë të parë në histori të klubit, ndërsa për herë të parë garoi në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.  

Pavarësisht interesimit të disa skuadrave të tjera, ajo në intervistën e fundit dhënë për “SVT Sport”, theksoi se pas interesimit të Hackenit vendimi ishte i qartë.

“Ka pasur interesim të disa klubeve dhe unë isha e interesuar në një klub tjetër. Por kur Hackeni më kontaktoi, vendosa shpejt”, ka deklaruar Elena Sadiku.

“Ka qenë proces shumë i shpejtë. E zgjodha Hackenin, sepse e ndieja çka është më e mira për mua dhe zhvillimin tim. E ndjeva se i kishim ambiciet e njëjta dhe për këtë Hackeni ishte zgjidhja ime”.

Ajo ka deklaruar se një klub tjetër i madh nordik ishte interesuar për ta pasur trajnere. Por, nuk e ka përmendur emrin.  

Sadiku është pyetur nëse ndonjëherë do të udhëheqë edhe përfaqësuese, për shembull atë të Suedisë. Ajo ka thënë se i përcjell ndeshjet vazhdimisht, por për momentin është ende herët, sipas saj.

Ndërkohë, tregoi se vazhdimisht ka marrë shënime për të veçantat e ekipeve të ndryshme.

“Kam parë disa ndeshje të ligës së Suedisë dhe paraqitjen e tyre në garat evropiane. Kam mbajtur shënime. I kam përcjellë disa ekipe, ndonëse për një kohë kam qenë jashtë Suedisë. Hammarby është duke bërë hapa të mëdhenj, njësoj si Malmo. Edhe Djurgardeni është në top-katërshe. Shumë ekipe kanë vendosur të investojnë dhe ta dërgojnë futbollin e femrave para. Nuk është si në sezonin kur Rosengardi ishte shumë dominues”, është shprehur ajo.

Si trajnere e Celticut vitin e kaluar, 32-vjeçarja Sadiku ishte e nominuar për çmimin “The Best”, që jepet nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), për më të mirët e vitit. Ishte në mesin e tetë trajnerëve të përzgjedhur nga FIFA. Çmimin e më të mirës nga FIFA nuk e fitoi, por u shpall trajnerja më e mirë e vitit 2024 në Premier Leaguen e Skocisë.

Kosovarja Sadiku kishte karrierë premtuese edhe si futbolliste, por pati lëndime dhe operime të shumta. Për këtë arsye, ajo i dha fund shumë herët karrierës si lojtare. Kishte plot 13 operime dhe u tërhoq në moshën 23-vjeçare. Ka luajtur për Malmon, Kristianstadin, Eskilstunan dhe Hammarbyn në Suedi, ndërsa me U19 të Suedisë i kishte 14 ndeshje e dy gola të shënuar.

Profesionin e trajneres e ka nisur në vitin 2018, ndërsa tani është e pajisur edhe me licencën “Profi”. Ka pasur rol te klubi kinez Beijing Phoenix, ndërsa ishte edhe asistente te Rosengardi në Suedi dhe te Fortuna Hjorring në Danimarkë. E ka udhëhequr edhe Eskilstunan si trajnere e parë, ndërsa ishte edhe tek Evertoni U21.

Mediumi britanik “The Guardian” kishte raportuar vitin e kaluar se ajo ishte bërë trajnerja apo trajneri më i ri që ka drejtuar një skuadër në fazën grupore të Championsit në të dy gjinitë. E kishte thyer rekordin e vendosur nga Julian Nagelsmann me Hoffenheimin, që ishte trajner i skuadrës me 31 vjet e 58 ditë. Elena e kishte udhëhequr Celticun ende pa i mbushur 31 vjet.

Ajo tashmë është prej trajnerëve më të vlerësuar në Evropë.