Futboll

Përfaqësuesi i UEFA-s flet për Kongresin në Beograd në Kuvendin e FFK-së

ffk

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) nuk ishte paraqitur e barabartë me shtetet e tjera anëtare të UEFA-s në Kongresin e 49-të, që më 3 prill u mbajt në Beograd. Kosova kishte marrë pjesë pa simbole shtetërore.

Në fakt, flamuri i Kosovës ishte hequr nga vendi ku ishin ulur kryetari i FFK-së, Agim Ademi, dhe sekretari i përgjithshëm, Markus Weidner, para se të niste Kongresi i UEFA-s. Mbeti vetëm logoja e Federatës.

UEFA i kishte lëshuar disa njoftime për Kongresin në Beograd, por pa e përmendur rastin për flamurin e Kosovës. Ndërkohë, nuk ishte përgjigjur në pyetjet e KOHËS që i ishin bërë për incidentin me flamur.

Për Kongresin e organizuar në Beograd u fol edhe të hënën, në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK-së, ku u miratuan një sërë ndryshimesh statutare të bazuara në Ligjin e ri për sport, UEFA dhe FIFA. Por pa e përmendur incidentin me flamur.

Përfaqësuesi i UEFA-s, Jozef Klemen, e kujtoi fjalimin e presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, i cili pati theksuar se futbolli i bashkon popujt. Ai ka përmendur edhe Evropiani 2027 për U21 që do të organizohet nga Shqipëria e Serbia.

“Muaj më parë, të gjitha 55 federatat anëtare të UEFA-s u takuan në Kongresin e UEFA-s të mbajtur në Beograd. Një nga mesazhet e presidentit të UEFA-s, ishte uniteti. E dini se ka palë të shumta që po synojnë të na përçajnë, të na ndajnë, por është shumë me rëndësi të mbetemi të bashkuar. Futbolli ndërton ura, ndërsa politikanët ndërtojnë mure. E dini që UEFA ia dha organizimin Shqipërisë dhe Serbisë Evropianin 2027 për grupmoshën e 21-vjeçarëve”, ka thënë Klemen në fjalimin e tij në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK-së.

Në Kuvendin e monitoruar nga përfaqësuesit e UEFA-s, FIFA-s dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, u zgjodh ish-kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani.

Ujkani e mban edhe postin e zëvendësdrejtorit të Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Përfaqësuesi i FIFA-s, Marco Ferri, është ndarë i kënaqur që propozimet për ndryshime statutare janë marrë parasysh.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit në Agjencinë për Sport në MKRS, Fidan Shatri, foli për rëndësinë e Ligjit të ri për sport dhe mbështetjen për organizatat sportive.

“E thanë edhe përfaqësuesit e UEFA-s e FIFA-s se futbolli gjithkund në botë duhet të jetë unik për të shkuar përpara. Tashmë të gjitha klubet dhe ne si FFK jemi në harmoni me Ligjin e Sportit dhe me statutet e UEFA-s e FIFA-s”, ka thënë kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

FFK-ja ishte njëra prej shumë federatave sportive që nuk e kishte përmbushur obligimin siç e përcaktojnë dispozitat e reja ligjore të Ligjit për Sport. Pra, FFK-ja nuk i ishte përmbajtur qarkores së datës 3 shtator të vitit të kaluar. Është dashur që në Kuvendin e 5 shkurtit t’i harmonizojë aktet e saj normative me Ligjin për sport. Por vetëm të hënën në Kuvendin e Jashtëzakonshëm, delegatët votuan për një sërë ndryshimesh statutare, në përputhje me statutet e UEFA-s, FIFA-s dhe Ligjit të ri për sport.