Futboll

Tovërlani kthehet te Prishtina me humbje të thellë nga skuadra e fundit në tabelë

Prishtina e Re

Trajneri Afrim Tovërlani u kthye në krye të Prishtinës pas 11 vjetësh.

Tovërlani ishte në krye të grupmoshës U21 të Kosovës, por vendosi që ta marrë drejtimin e Prishtinës dhe zyrtarizimi i tij u bë të martën.

Dhe në ndeshjen debutuese, pësoi humbje të thellë në udhëtim te Prishtina e Re.

Prishtina e Re fitoi 4:1, në ndeshjen e xhiros së 15-të që u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Te Prishtina e Re debutoi suksesshëm trajneri Qëndrim Kida. Kida e zëvendësoi Shpëtim Babajn, ndërsa Tovërlani zuri vendin e Arsim Thaqit.

Tovërlani, “bardhekaltrit” e Prishtinës i ka udhëhequr në dy periudha të ndryshme, 2007-2009 dhe 2012-2014. I ka fituar shtatë trofe në total me “bardhekaltrit”, përfshirë tre tituj kampioni. Një tjetër titull, Tovërlani e ka të fituar me Feronikelin.

Vendësit që në sekondën e 30-të befasuan Prishtinën.

Pas harkimit të Donat Hasanajt nga krahu i djathtë, qendërmbrojtësi francez, Philippe Boueye realizoi autogol.

Në minutën e 24-t, rezultatin e dyfishoi mesfushori nigerian, Amos Dadet.

Mysafirët u kthyen në lojë pas gjysmë ore, me golin që e shënoi mesfushori Gjelbrim Taipi.

Kur pritej reagimi i mëtejmë i Prishtinës, në skenë u shfaq qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Prishtinës së Re, Elvis Prençi. Prençi realizoi me kokë për 3:1 në minutën e 35-të, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Prishtina e Re në pjesën e dytë realizoi edhe një tjetër gol. Pas topit të kthyer nga një mbrojtës i Prishtinës, topin me dorë brenda në zonë e kapi portieri Ardit Nika, duke shkaktuar goditje indirekt. Pas asaj situate, Prishtina e Re realizoi me Hasanajn në minutën e 75-të. Ishte edhe goli që e vendosi rezultatin përfundimtar, 4:1.

Për Prishtinën e Re ishte fitorja e parë pas më shumë se dy muajsh.

Fitorja e fundit u arrit më 14 shtator ndaj Llapit, po në Lipjan, 1:0.

Ndërkohë, Prishtina në krizë rezultatesh, e pësoi humbjen e tretë në katër ndeshjet e fundit, ku e ka edhe një barazim.

Prishtina mbetet lidere me 26 pikë, me një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Dritës. Ballkani, Dukagjini dhe Drita kanë nga 23 pikë në pozitën e dytë, tretë dhe të katërt.


Pjesa e parë shumë e suksesshme për Prishtinën e Re

Prishtina e Re është e fundit në tabelë, ndërsa ka bërë ndryshim në postin e trajnerit.

Vendin e Shpëtim Babajt e ka zënë Qëndrim Kida.

Ndryshim në trajner ka bërë edhe Prishtina.

Prishtina ditë më parë e zyrtarizoi Afrim Tovërlanin, që e zëvendësoi Arsim Thaqin.

Por, Prishtina lidere është duke humbur 3:1 nga Prishtina e Re, në ndeshjen që po luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Të dy trajnerët janë debutues me ekipet e tyre në këtë ballafaqim.

Pas 30 sekondave lojë, për 1:0 në të mirë të Prishtinës së Re, autogol shënoi qendërmbrojtësi francez, Philippe Boueye.

Në minutën e 24-t, për 2:0 shënoi Amos Dadet, ndërsa Prishtina u kundërpërgjigj me golin e Gjelbrim Taipit, në minutën e 30-të.

Prishtina e Re e shënoi një tjetër gol me qendërmbrojtësin dhe kapitenin, Elvis Prençi. Prençi shënoi me kokë në minutën e 35-të.


Nuk ndalen golat në “Sami Kelmendi”

Prishtina e Re e ka “goditur” sërish Prishtinën në “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Kapiteni i vendësve, Elvis Prençi, ka shënuar gol me kokë për rezultatin 3:1.


Prishtina kthehet në lojë

Prishtina është kthyer pas gjysmë ore lojë.

Skuadra e trajnerit Afrim Tovërlani e ka ngushtuar rezultatin në 2:1.

Golin në minutën e 30-të e shënoi Gjelbrim Taipi.


Edhe një tjetër gol nga Prishtina e Re

Prishtina e Re është duke e mposhtur Prishtinën me rezultatin 2:0 në ndeshjen që po luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan.

Golin për 2:0 në minutën e 24-t e shënoi Amos Dadet.


Prishtina e Tovërlanit befasohet pas 30 sekondash

Prishtina e trajnerit Afrim Tovërlani është befasuar pas 30 sekondash lojë nga Prishtina e Re.

Philippe Boueye realizoi autogol.

Tovërlani debuton te Prishtina pas zyrtarizimit ditë më parë.

Ndërkohë, Prishtinën e Re e drejton Qëndrim Kida.