Qendërmbrojtësi Ron Raçi ishte prej më të mirëve në fushë të dielën mbrëma te Hajduku i Splitit.
Në kuadër të javës së tretë të elitës së futbollit kroat, Hajduku e mposhti në shtëpi Slaven Belupon me rezultatin e thellë 3:0.
Në këtë ndeshje, Raçi për herë të parë luajti nga minuta e parë te Hajduku.
Trajneri i Hajdukut, Gonzalo Garcia, u nda i kënaqur me paraqitjen e reprezentuesit të Kosovës. Por ai tutje shtoi se Raçit i duhet ende punë për të bërë për ta treguar formën më të mirë.
“Ai ishte i mirë. Është i talentuar. Ka shumë energji. Ai ende duhet të punojë me ne për të kuptuar të gjitha kërkesat, por besoj se së shpejti do të shihni një mbrojtës shumë të mirë. Jam i kënaqur me mënyrën se si luajti. Në disa momente bëri diçka gabim, pastaj në aksionin tjetër e bëri siç duhet. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Garcia, shkruan të hënën “index.hr”.
22-vjeçari te gjiganti kroat u transferua muajin e kaluar nga Prishtina për 300 mijë euro.
Hajduku të enjten e kaluar u eliminua nga Dinamo City i Tiranës në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.