Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Ramadani: Të jemi të bashkuar, suksesi mund të vijë

Zekirija Ramadani

Trajneri Zekirija Ramadani ka thënë se Drita mund të dalë e suksesshme ndaj Celjes sllovene. 

Drita luan ndaj Celjes në “Fadil Vokrri” të enjten mbrëma nga ora 21:00. Është ndeshja e parë e plejofit të fazës nokaut në Ligën e Konferencës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Drita duhet të mos dalë nga identiteti i vet. Gjithmonë ne kemi përballë vetes motivim dhe objektivin që e kemi si ekip. Gjithmonë kur kemi funksionuar në aspektin kolektiv, kemi dalë të suksesshëm. Nuk jemi mbështetur në individualitetin e ndonjërit, por në kolektiv. Pas ndeshjes me Drenicën ku janë vetëm tre ditë, kemi folur me futbollistët, kemi bërë analizë, ju kam thënë që nëse mbështetemi te grupi, do t’ia vështirësojmë punët kundërshtarit. Duhet të mbështetemi te njëri-tjetri në fushë. Duhet ta japim maksimumin. Ne jemi këtu ku shumë skuadra ëndërrojnë të jenë. Edhe nëse vjen humbja, duhet të humbim me kokën lartë, duhet të mos dalim si frikacakë”, ka thënë fillimisht Ramadani. 

Tekniku shkupjan thotë se Celje është skuadër e fortë, por avancimi tutje nuk është i pamundur. 

“Aq sa dimë dhe mundemi i kemi marrë masat, jemi përgatitur fizikisht, psikologjikisht, dhe në aspektin taktik. Si futbollist kam qenë 5-6 vite në fazën përgatitore në Slloveni. Sllovenët janë të ftohtë. I kam parë pesë ndeshjet e fundit, dy kanë qenë me ish-trajnerin dhe tri me trajnerin aktual. Nuk ka ndryshim. Luhet i njëjti stil i lojës. Jemi munduar t’i nxjerrim disa pika të forta e të dobëta. Do të mbrohemi nga të gjithë ekipi i Celjes. Jemi munduar ta përgatitim ekipin dhe do të jetë e vështirë, por assesi i pamundur kualifikimi. Duhet ta shfrytëzojmë terrenin vendës. Shpresoj të kemi tifozë dhe ta shfrytëzojmë terrenin si nikoqir. Uroj të shkojmë me epërsi qoftë edhe minimale. Mesa, Manaj dhe Broja mungojnë. Por te të tjerët kam besim dhe besoj se nuk do të vërehet mungesa”, ka deklaruar Ramadani të mërkurën në konferencën për shtyp.

Drita fazën e ligës në Ligën e Konferencës e mbylli në vendin e 20-të me shtatë pikë.

Ovouka e vlerëson Celjen

1 o. më parë / 18 shk 2026 16:57
Raddy Ovouka

Mbrojtësi Raddy Ovouka ka thënë se Celje është skuadër e fortë, por Drita do të mundohet të paraqitet sa më mirë për të marrë rezultat pozitiv. 

Ovouka është prej lojtarëve kryesorë te skuadra kampione në fuqi e Kosovës. Ai ka thënë po ashtu se është i lumtur që e ka besimin e plotë te trajneri Zekirija Ramadani. 

“Do të luajmë ndaj një ekipi të madh. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme. Jemi gati për atë lojë. Ka qenë shumë e rëndësishme për të gjithë që të luajmë në Ligën e Konferencës. Përgatitemi për lojë, kemi punuar shumë dhe për këtë arsye jemi këtu sot. Do ta jap më të mirën. Jam i lumtur që trajneri e ka besimin në mua dhe unë do ta jap më të mirën. Të gjithë jemi të gatshëm për lojën e nesërme”, deklaroi Ovouka në konferencën për shtyp.

Ramadani i kundërpërgjigjet Avdylit para ndeshjes me Celjen

1 o. më parë / 18 shk 2026 16:55
Zekirja Ramadani

Trajneri Zekirija Ramadani i është kundërpërgjigjur Milot Avdylit për deklaratën që ai kishte dhënë pasi u tërhoq shorti i plejofit të fazës nokaut. 

Drita u vendos të luante përballë Celjes, që në radhët e veta e ka Avdylin, ish-futbollistin e Kosovës U21. 

“Milotin e njoh si futbollist, nuk e di sa më njeh ai. Asnjëherë nuk e motivoj ekipin ose futbollistin tim për hakmarrje, në futboll hakmarrje nuk ka. Pse ka humbur dy herë, bëhen edhe e treta dhe e katërta, nuk ndodh asgjë, nuk është fundi i botës, vazhdon futbolli. Nëse na mposht e uroj për fitoren. Thjesht duhet të përkushtohet në karrierën e tij. Ka cilësi shumë ai futbollist. Shpresoj që të vazhdojë ecurinë negative që e ka përballë Dritës”, deklaroi Ramadani.

Avdyli më 16 janar, kur u tërhoq shorti në Nyon të Zvicrës, kishte deklaruar se ndaj Dritës i ka disa gjëra të pazgjidhura. 

Avdyli ishte pjesë e Trepçës ’89 në të kaluarën. 

“Kam dashur që të luajë ndaj Dritës në fazën e ligës, dhe tani ëndrra më është bërë realitet. Ndeshja do të jetë e veçantë për mua pasi do të luajë ndaj një klubi të shtetit tim. Kam disa gjëra të pazgjidhura me Dritën, pasi jam takuar me këtë skuadër dy herë sa isha pjesë e Trepçës dhe kam humbur dy herë”, kishte thënë Avdyli për faqen zyrtare të Celjes.