Futboll

Reagon Ferizaji, e quan të turpshme komunikatën e Prishtinës së Re

Ferizaj

Skuadra e Ferizajt i ka hedhur poshtë akuzat në lidhje me pretendimet për fyerje me bazë racore ndaj dy futbollistëve të Prishtinës së Re, Cheick Doukoures dhe Toni Gomesit. 

Prishtina e Re më herët lëshoi një komunikatë ku akuzoi se kapiteni i Ferizajt, Betim Haxhimusa, kishte bërë fyerje me përmbajtje racore ndaj Doukoures dhe Gomesit. 

Ferizaj i ka cilësuar si të pabaza dhe të pavërteta pretendimet e Prishtinës së Re. Gjithashtu, Ferizaj e quajti të turpshme deklaratën e Prishtinës së Re.  

“FC Ferizaj reagon ndaj deklaratës së publikuar nga KF Prishtina e Re lidhur me pretendimet për fyerje me bazë racore gjatë ndeshjes së sotme. Hedhim poshtë kategorikisht këto akuza, të cilat janë të pavërteta dhe të pabazuara. Kapiteni ynë, Betim Haxhimusa, është sportist me integritet të lartë dhe një gjë e tillë nuk përfaqëson karakterin e tij. E konsiderojmë të turpshme dhe të nxituar komunikatën e KF Prishtina e Re, e cila është publikuar pa asnjë bazë faktike”.