Futboll

Reijnders do t’i shtojë “diçka të re” skuadrës së Guardiolës

Tijjani Reijnders

Harta ishte e mbushur me disa pika të verdha, që tregonin lëvizjet e Tijjani Reijndersit nëpër fushë dhe atë se çfarë ai do t’i sjellë ekipit të Manchester Cityt për sezonin e ri. 

Mesfushori holandez pati 82 prekje të topit ndaj Wydad Casablancas, të cilat ishin kryesisht në mesin e fushës. City e nisi kampanjën e Botërorit të klubeve me fitore 2:0 ndaj Wydad Casablancas, skuadrës marokene. 

Mbulimi i një pjese të madhe të mesfushës është sinjal i qartë për lëvizshmërinë e tij. Ai pati edhe disa ndërprerje vendimtare të aksioneve të kundërshtarit. 

City kishte 67.6 për qind të posedimit të topit, ndërsa shumica e prekjeve të Reijndersit vinin nga fusha e ekipit të tij e të cilat vazhdonin në pjesën e fushës që i takonte Wydadit. Ai kishte detyra në qendër të mesfushës së Cityt për 60 minuta, para se të kalonte në rol më të avancuar kur Rodri u inkuadrua në lojë. 

Reijndersi tentoi t’i bënte 74 pasime, ndërsa i kompletoi 68 prej tyre. Gjashtë pasimet në të cilat ai dështoi t’i kompletonte ishin në pjesën e tretë të fushës, atë të sulmit. 

Me paraqitjet e Reijndersit shumë i kënaqur është ndarë trajneri i skuadrës së madhe angleze, Pep Guardiola. 

“Ai është shumë, shumë lojtar i mirë. E ndien këtë”, ka thënë Guardiola. “Shpejtësia, pasimet e topit në fazën finale – kur ai të hyjë edhe më shumë në ritëm, do të jetë i jashtëzakonshëm”. 

Reijnders u transferua në këtë afat kalimtar për 40 milionë euro nga Milani. Ai i zhvilloi 90 minuta, ndërsa ka marrë vlerësime pozitive edhe nga njohës të futbollit anglez. 

Francezi 21-vjeçar, Rayan Cherki, kishte rol më të avancuar, ndërsa City është në kërkim të mbushjes së zbrazëtirës së lënë nga Kevin de Bruyne, i cili u largua në verë. 

“Natyrisht Kevini është vështirë të zëvendësohet, e dimë këtë”, ka thënë tekniku spanjoll. 

“Por, Rayani ka aftësi të shkëlqyera në afërsi të portës, ka vizion të shkëlqyer. Kjo ishte vetëm ndeshja e parë, në kushte shumë të vështira dhe jam shumë i kënaqur që ai është këtu”. 

Te City luajti edhe mbrojtësi 20-vjeçar Vitor Reis. Për të ishte ndeshja e tretë si senior qëkur u transferua në janar, ndërsa Nathan Ake u paraqit për herë të parë që prej muajit shkurt. Guardiola pushoi disa emra, përfshirë Erling Haalandin, Bernardo Silvan dhe Joshko Gvardiolin. Ata ishin në bankën rezervë, njësoj si transferimi i këtij afati kalimtar, Rayan Ait-Nouri. 

Manchester City ndeshjen e radhës në Grupin B të Botërorit të klubeve do ta luajë të dielën në Atlanta ndaj Al Ainit, që humbi 5:0 në duelin e parë nga Juventusi.