Futboll

Rilindi i vendosur ta dëshmojë veten te Sioni

Rilind Nivokazi

Kanë mbetur ende gjurmë nga e kaluara e Rilind Nivokazit. Mjafton ta shkruash emrin e tij dhe të mësosh të kaluarën e sulmuesit të ri të Sionit. Por, ish-sulmuesi i grupmoshave të reja të Italisë dhe Atalantas nuk dëshiron të flasë për shumë gjërat, që thotë se tashmë i takojnë së kaluarës.

“E di sa kam vuajtur për të ardhur deri këtu. Kam luftuar shumë për të ardhur deri këtu. Falënderoj familjen time për mbështetjen. Edhe kur gjërat nuk kanë shkuar siç kam dashur, familja është ajo që më ka shtyrë para”, ka thënë Nivokazi të hënën, një ditë pasi bëri hapin para në karrierë.

Pas shkëlqimit në Kategorinë e Dytë të Zvicrës me fanellën e Bellinzonas gjatë edicionit 2024/2025, Nivokazi të dielën u prezantua te Sioni.

“Oferta e Sionit ka ardhur pas paraqitjes së mirë në Challange League. Ka qenë edicioni më i mirë për mua deri tash në karrierë. Synimi im është të përsëriti vitin e kaluar. Nuk dua t’i jap vetes asnjë kushtëzim, por ta jetoj të tashmen. Në fund të sezonit do të shoh se a jam më lart apo kam mbetur në nivelin e njëjtë”, thotë Nivokazi.

Ai shënoi 18 gola dhe asistoi dy herë në 34 ndeshje në Kategorinë e Dytë të Zvicrës.

Ai po ashtu shënoi një gol dhe asisoti një herë edhe për Kupë të Zvicrës.

Ai shpreson të vazhdojë me gola edhe te Sioni.

“Unë them gjithmonë se futbolli shkon më shpejt se koha. Mund të arrihet gjithçka. Me dëshirën e Zotit dhe a mund t’i jap zor dhe të jap gola. Nganjëherë për sulmuesin është më lehtë, por nganjëherë më zor. Kur shënon gola, dyert gjithnjë janë të hapura për sulmuesin”, ka theksuar Nivokazi. “Për mua ka qenë me rëndësi të bëj një hap para në karrierë. Sioni është klubi që më ka dashur më së shumti. Jam i gëzuar dhe i lumtur njëkohësisht”.

Nivokazi është zhvilluar si lojtar tek Atalanta. Por ai nuk e fitoi rastin të luajë për ekipin e parë të Atalantas në elitë.

“Në Atalanta kam pasur një kohë që nuk kanë shkuar mirë punët. Pak për fajin tim, pak për faj të dikujt tjetër. Por atë periudhë e kam lënë prapa dhe tash jam i gëzuar këtu ku jam. Synoj hapa të tjerë para në karrierë”, është shprehur ai.

Në fakt, Nivokazi kurrë nuk ka luajtur në elitë, ndonëse ka bërë karrierë për disa skuadra. Rastin për t’u paraqitur në elitë do ta ketë me fanellën e Sionit.

“Synimi im është të luaj, të shënoj sa më shumë gola. Nuk dua të ndalem. Dua të arrij më shumë. Uroj të vazhdoj kështu”, është shprehur ai. “Superliga e Zvicrës është një mundësi e mirë për lojtarët. Kemi parë shumë lëvizje të mëdha nga Zvicra. Është bërë trampolinë për shumë lojtarë. Kemi shembullin e Ardon Jasharit. Para dy vjetësh luajti këtu, ndërsa tash Milani po e kërkon. Mua më është dashur të bëj disa ndalesa për të ardhur deri këtu”.

Nivokazi u lind në Perugia, ndërsa rrënjët i ka nga Kosova, përkatësisht Gjakova. Para se t’i bashkohej Kosovës U21 në vitin 2021, Nivokazi luajti për Italinë U18, ndërsa shënoi dy gola në pesë ndeshje. Ka luajtur edhe për ekipin U16 dhe U17 të Italisë.

Nivokazi pret që në të ardhmen e afërt të marrë ftesë edhe nga përzgjedhësi i Kosovës A, Franco Foda.

Por pranon se për të merituar ftesën, duhen të shkëlqejë te Sioni.

“Nuk ka ardhur askush të trokasë te dera ime. Por, për mua dhe familjen time është ëndërr të luaj për Kosovën. Uroj ta tregoj veten dhe ta arrij atë qëllim. Është qëllimi im të paraqitem për Kosovën”, ka thënë Nivokazi.

Nivokazi ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2028. Sioni ka paguar 690 mijë euro për t’i siguruar shërbimet e Nivokazit.

Te Sioni luajnë edhe disa futbollistë shqiptarë, si Benjamin Kololli, Kreshnik Hajrizi dhe Pajtim Kasami.