Cristiano Ronaldo po shqyrton mundësinë e largimit nga skuadra e Arabisë Saudite, Al Nassr, në verë. Sipas raportimeve të mediumeve të ndryshme, Ronaldo mund të kthehet në Evropë ose të paraqitet edicionin e ardhshëm në MLS të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
40-vjeçari, i cili paguhet mbi 500 mijë euro në ditë, ka nisur një bojkot në fillim të kësaj jave.
Ronaldo raportohet se është i pakënaqur me mënyrën se si Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite po i trajton financat e Al Nassr, në krahasim me klubet rivale për titull të kampionit.
Fondi i Investimeve Publike kontrollon 75 % të aksioneve të Al Ahlit, Al Ittihadit, Al Hilalit dhe Al Nassrit.
Al Hilali kompletoi të hënën transferimin e ish-bashkëlojtarit të Ronaldos te Real Madridi, Karim Benzema. Francezi Benzema iu bashkua Al Hilalit nga skuadra tjetër saudite, Al Ittihad.
Al Hilali aktualisht është një pikë përpara Al Nassr të Ronaldos në Ligën Profesionale Saudite.
Ronaldo pretendon se klubi i tij nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë në tregun e transferimeve.
Ylli portugez pretendon se trajneri i Al Nassr, Jorge Jesus, nuk ka marrë përforcime të mjaftueshme në krahasim me rivalët për titull, pavarësisht se transferimi i Benezmas është financuar nga investitorë të jashtëm dhe jo nga Fondi i Investimeve Publike.
Sipas gazetës portugeze “Record”, Ronaldo është i zhgënjyer dhe po e mendon largimin gjatë verës nga Al Nassr.
Bëhet e ditur se klauzola e lirimit të Ronaldos është 50 milionë euro.
Ronaldo, i cili të enjten bëhet 41-vjeçar ka kontratë edhe 18 muaj me sauditët.
Pretendohet se një kthim në Evropë ose transferim në MLS janë opsione të mundshme për Ronaldon.
Në dhjetor, Ronaldo la të hapur një kthim në Evropë, teksa përsëriti synimin e tij për të arritur shifrën e 1000 golave në karrierë.
Aktualisht i ka 961 gola të shënuar.