Futboll

Salah: Bisedimet me klubet nga Arabia Saudite ishin serioze

Salah

Foto: Associated Press

Ylli i futbollit, Mohamed Salah, para se ta vazhdonte kontratën me Liverpoolin ishte i lidhur ngushtë për një transferim në elitën e futbollit të Arabisë Saudite. Edhe vet Salah e ka pranuar se ka pasur interesim nga klube të ndryshme nga Arabia Saudite. Sulmuesi i Liverpoolit ka thënë se ka marrëdhënie të mira me zyrtarët e klubeve nga Arabia Saudite.

“Marrëdhëniet e mia me zyrtarët e klubeve nga Arabia Saudite janë shumë të mira, kemi folur shumë dhe negociatat ishin serioze. Negociatat ishin të gjata, e di politikën e klubit në negociata, arritëm në një zgjidhje të mesme që na bëri të gjithëve të lumtur. Një pjesë e presionit mbi klubin erdhi nga tifozët. E di që nga fillimi ata donin që unë të vazhdoja dhe ata luajtën rolin e tyre në gjithë këtë”, ka thënë Salah, shkruan të hënën “Reuters”.

Salah e fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të Premier Leagues për edicionin 2024/25.

Salah në 52 ndeshjet e zhvilluara realizoi 34 gola dhe bëri 23 asistime. Sulmuesi i krahut muajin e kaluar e vazhdoi kontratën me Liverpoolin deri në vitin 2027.