Pas 24 ndeshjeve miqësore, Freiburgu dhe Baseli, do të përballen me njëra-tjetrën në një ndeshje zyrtare për herë të parë të mërkurën. Ndeshja hapëse e fazës së ligës të Ligës së Evropës ndërmjet këtyre dy skuadrave do të zhvillohet nga ora 21:00 në Freiburg.
Për ndeshjen kundër Freiburgut, të martën, në konferencë për media ka folur edhe kapiteni i Baselit, Xherdan Shaqiri. Ai ka thënë se përballja kundër Freiburgut do të jetë tregues i mirë për Baselin.
“Është një derbi i shkëlqyer, një ndeshje që të gjithë po e përjetojmë për herë të parë. Vitin e kaluar, humbëm një miqësore kundër Freiburgut me rezultat të thellë. Tani duam të tregojmë se jemi përmirësuar që atëherë. Ndeshja do të jetë një tregues i mirë për ne që të shohim se ku ndodhemi. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, por ne i dimë cilësitë tona dhe duam të kemi një fillim të mirë në fazën e ligës, kështu që vijmë këtu me besim të madh”, ka thënë Shaqiri.
Ai ka shtuar se faza e ligës e garës së dytë të UEFA-s për nga rëndësia, nuk do të jetë e lehtë.
“Duam të nxjerrim maksimumin nga kjo fushatë dhe ta bëjmë rikthimin me sukses të Baselit në skenën ndërkombëtare. I meritojmë këto ndeshje me paraqitjet tona sezonin e kaluar dhe duam t’i shijojmë ato me tifozët tanë. Qëllimi ynë është të avancojmë tutje”, është shprehur Shaqiri.
Klubi i Bundesligës është favorit përballë kampionit të Zvicrës.