Futboll

Shaqiri e kritikon trajnerin e Baselit, ai i kundërpërgjigjet

shaqiri

Xherdan Shaqiri nuk është i kënaqur me barazimin 1:1 kundër Copenhagenit në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Kampionëve. 

Pas startit të mirë, Baseli pati fat që nuk e la fushën si humbës. Sistemi VAR e shpëtoi Baselin nga një humbje 2:1.

“Është rezultat zhgënjyes. Ne donim pa dyshim të fitonim”, tha ylli i Baselit.

Për Baselin ndeshja u bë më e vështirë kur mbrojtësi Jonas Adjetey u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë në fazën e fundit të ndeshjes, saktësisht në minutën e 82-të. Ai parandaloi një kundërsulm dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Kapiteni i Baselit, Shaqiri, i vë faj trajnerit Ludovic Magnin për përjashtimin e Adjeteyt. E kritikoi hapur para gazetarëve zviceranë.

“E dinim që mbrojtësi kishte marrë tashmë një karton të verdhë, kështu që ndoshta duhej të kishim reaguar ndryshe dhe ta kishim larguar më herët nga fusha”, tha Shaqiri për “Blue Sport”. “E dinim që ekzistonte rreziku i kartonit të kuq, pasi pati shumë faulle dhe ndërhyrje të ashpra. Në fund, ishte për të ardhur keq që ai u ndëshkua. Por ishte një faull dhe me të drejtë mori karton të kuq”.

Shaqiri foli edhe në zonën miks për kartonin e kuq.

“Ky është thjesht futboll. Mund të shihje gjatë gjithë ndeshjes se kishte shumë kartonë të verdhë. Nëse një lojtar merr një karton të verdhë shpejt, ka shumë mundësi që ai ta marrë edhe kartonin e dytë të verdhë dhe kartonin e kuq”, i ka vazhduar Shaqiri kritikat ndaj trajnerit. “Duhet të mësosh nga kjo dhe pastaj ndoshta të bësh një zëvendësim. Kjo nuk mund të na ndodhë neve”.

Golin për Baselin e shënoi Shaqiri. Ai realizoi për 1:0 nga penalltia në minutën e 14-të. Rezultatin në 1:1 e barazoi Gabriel Pereira. 

Copenhageni shënoi edhe një gol tjetër. Por goli i minutës së 87-të u anulua për pozitë jashtë loje.

Magnin i merr përsipër përgjegjësitë

Pak më vonë, trajneri i Baselit, Magnin, iu përgjigj kritikave të Shaqirit.

“Në retrospektivë, kur një lojtar merr një karton të verdhë ose të kuq, është gjithmonë faji i trajnerit. Dhe unë e marr përgjegjësinë për këtë”, tha Magnin.

Megjithatë, trajneri i Baselit, është i sigurt në vendimet e tij dhe e kundështon Shaqirin nga një këndvështrim taktik.

“Do ta marr në konsideratë kritikën, por nuk e pashë qendërmbrojtësin në ndonjë rrezik gjatë lojës. Po mendoja më shumë për Tsunemoton”, ka shtuar ai, duke thënë se do të vepronte njëjtë. Pra, nuk do ta largonte nga fusha mbrojtësin Jonas Adjetey.

Në konferencë për media, trajneri foli sërish për kritikat që Shaqiri ia bëri pas ndeshjes.

Magnin: Shaqiri ka shumë për të mësuar

Ai tha se Shaqiri e ka nisur shkollimin për trajner. Por, sipas tij, Shaqiri ka shumë për të mësuar.

“Kam parë që edhe Shaqiri e ka nisur shkollimin për t’u bërë trajner. Por ai është ende në fillim të karrierës së tij si trajner. Ai ka ende shumë për të mësuar”, ka thënë Magnin.

Ai nuk është dakord me kritikat e Shaqirit.

“Nuk jam dakord. Si trajner, nuk ke pse zëvendëson një lojtar që menjëherë në fillim të ndeshjes ka marrë karton të verdhë. Nuk e ndjeva se Jonas ishte në telashe”, ka theksuar Magnin.

Magnin ka folur sërish për marrëdhënien që e ka me Shaqirin. Kishte folur edhe gjatë prezantimit si trajner i Baselit, por edhe të mërkurën mbrëma pas barazimit 1:1 ndaj Copenhagenit.

“Raporti ynë është zgjidhur shumë kohë më parë. E dini tashmë marrëdhënien time me Shaqirin, nuk kemi asnjë problem fare”, ka thënë Magnin i buzëqeshur.

Magnin nuk e fajëson askënd. As gjyqtarin Anthony Taylor, të cilin trajneri i Baselit e lavdëroi për “paraqitje të shkëlqyer”. Dhe, as mbrojtësin Jonas Adjetey, që u përjashtua me karton të kuq. As kritikun e tij, Shaqirin.