Kur Xherdan Shaqiri u kthye te Baseli në verën e vitit të kaluar, premtoi se do të luftojë për trofe. Trofetë u fituan. Baseli e siguroi titullin e 21-të në elitën e futbollit helvetik dhe të parin prej vitit 2017. Më pas triumfoi edhe në Kupën e Zvicrës pas gjashtë vjetësh, dhe për herën e 14-të në histori të klubit. Tani Shaqiri synon fazën e ligës në Ligën e Kampionëve.
Sukseset e Baselit erdhën pas ardhjes së Shaqirit, që përveç që ringjalli karrierën e tij, e ngriti edhe formën e skuadrës së tij të fëmijërisë.
Shaqiri në vitin 2012 ishte transferuar te Bayern Munichu nga Baseli. Më pas bëri karrierë edhe tek Interi, Stoke City, Liverpooli, Lyoni e Chicago Fire. Por u kthye sërish në futbollin evropian dhe shkëlqeu.
Shaqiri 33-vjeçar, e mbylli sezonin me 21 gola e 22 asistime në 39 paraqitje në Superligën e Zvicrës dhe në Kupën e Zvicrës.
Shaqiri dhe pjesa tjetër e ekipit i kanë nisur përgatitjet në Schruns të Austrisë. Të shtunën e patën ditën e parë të përgatitjeve, me skuadrën që ka pësuar ndryshime. Nga skuadra është larguar trajneri Fabio Celestini, ndërsa vendin e tij e ka zënë trajneri Ludovic Magnin.
“Stërvitja e parë ishte shumë e mirë. Atmosfera në ekip është e mirë dhe të gjithë jemi gati për një tjetër sezon. Mezi presim të njihemi edhe më shumë me trajnerin. Kemi disa lojtarë të rinj. Duam të kemi fillim të mirë dhe duhet të punojmë shumë për këtë”, ka thënë Shaqiri të shtunën në një intervistë dhënë për gazetën zvicerane “Blick”.
Shaqiri fitoi disa çmime individuale në këtë sezon. U shpall edhe lojtari më i mirë i Baselit. Është prej më të mirëve në historinë e futbollit të Zvicrës. Ai u pensionua nga përfaqësuesja helvetike, pas 125 ndeshjeve e 32 golave të realizuar.
Shaqiri ka fituar edhe shumë trofe në karrierë, në nivel klubesh. Katër herë është fitues i titullit në Zvicër dhe tri herë fitues i Kupës zvicerane. Është kampion i Bundesligës tri herë dhe një herë fitues i Premier Leagues. Në mesin e shumë trofeve, dy herë është fitues i Ligës së Kampionëve.
Shaqiri përveç titullit e kupës, synim për këtë edicion e ka paraqitjen me Baselin në skenën më të madhe evropiane për klube – Ligën e Kampionëve.
“Mendoj se e kemi një shans, pavarësisht se kundër kujt do të luajmë. Patjetër që do të përpiqemi të hyjmë në Ligën e Kampionëve. Do të ishte ëndërr për mua të luaja sërish në Ligën e Kampionëve me Baselin. Kjo do të ishte e mrekullueshme”, ka thënë Shaqiri.
Baseli si kampion në muajin gusht do të luajë në plejofin e kualifikimeve për Champions. Në rast të fitores, avancon në ligën e formatit me 36 skuadra elitare të Evropës.