Futboll

Shkëndija kërkon fitore edhe në Bukuresht

KF Shkendija

Te Shkëndija e Tetovës janë optimistë për kualifikim në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Shkëndija fitoi 1:0 nda kampionit rumun, FCSB në ndeshjen e parë të raundit të dytë, të zhvilluar më 22 korrik në Shkup.

Ndeshja e kthimit është të mërkurën prej orës 19:30 në stadiumin e Steauas në Bukuresht të Rumanisë.

“Është ndeshje në të cilën do të japim maksimumin. E kemi fituar ndeshjen e parë dhe do të mundohemi që të bëjmë edhe një paraqitje pozitive këtu në Bukuresht. I kemi të gjitha parakushtet që të bëjmë një ndeshje pozitive dhe të tentojmë të marrim maksimumin”, ka thënë trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri të martën në konferencë për shtyp.

Ai e di që fitorja 1:0 në ndeshjen e parë nuk garanton kualifikimin. Beqiri është i vetëdijshëm që nuk mund të fokusohen vetëm në mbrojtje.

“Ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë. Do të mundohemi të shënojmë gol, të krijojmë raste dhe të jemi sa më solid në pjesën defanzive të lojës. Shpresoj që në fund të ndeshjet të jemi ne ata që festojmë kualifikimin”, ka shtuar Beqiri.