Shqipëria është kthyer në garë për kualifikim në Kupën e Botës së vitit të ardhshëm.
Të martën mbrëma në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, kuqezinjtë fituan 1:0 ndaj Letonisë. Me këtë fitore, Shqipëria doli në vendin e dytë në Grupin K. E zhvendosi Serbinë në vendin e tretë.
Shqipëria i ka tetë pikë nga pesë ndeshje, ndërsa Serbia mbetet me shtatë pikë nga katër ndeshje. Në grup udhëheq Anglia me 15 pikë. Letonia i ka katër e Andorra është pa pikë.
Një gol nga penalltia e vendosi sfidën mes Shqipërisë dhe Letonisë.
Kristjan Asllani shënoi me goditje nga pika e bardhë në minutën e 25-të. Penalltia u dha për lojë me dorë të letonezëve.
Shqipëria kishte edhe raste të tjera, por pa konkretizuar më. Rastet i kishte edhe Letonia. Madje në minutat e fundit Mario Mitaj e largoi topin nga vija e portës.
Shqipëria ka dominuar në fushë, por pa ndonjë shkëlqim të veçantë. Lojtarët e Shqipërisë e kishin topin në 61 për qind të kohës. I kanë krijuar 14 raste, për dallim nga nëntë sa i kishte Letonia.
Goditje që shkuan në portë, kuqezinjtë i kishin tri e mysafirët vetëm një.
Por tri pikët janë gjëja e rëndësishme nga kjo ndeshje. Të përzgjedhurve të Sylvinhos u duhej fitorja për të vazhduar ëndrrën për kualifikim, përkatësisht për pozitën e dytë që dërgon në plejof.
Ndeshja vendimtare për këtë synim vlerësohet ajo kundër Serbisë, që zhvillohet në Beograd më 11 tetor.
Shqipëria e nisi fushatën kualifikuese me humbje 2:0 nga Anglia. Më pas fitoi 3:0 ndaj Andorrës, ndërsa në ndeshjen emocionale me Serbinë mori vetëm një pikë, duke luajtur 0:0. Pikë të rëndësishme u lëshuan më 10 qershor, kur u barazua 1:1 me Letoninë në Riga.
Kjo bëri që për ndeshjen e dytë me Letoninë fitorja të ishte obligim. Pikët u fituan, ndërsa për shkëlqim në fushë shpresohet për ndeshjen e vështirë në Beograd, pas një muaji.
