Futboll

Sllovenët paralajmërojnë tifozët: S’ka flamuj apo simbole të Kosovës përveç sektorit D

Sllovenia

Tifozët e Kosovës që do të jenë sonte në stadiumin “Stozhice” në Lubjanë janë paralajmëruar të respektojnë rregulla të veçanta sigurie dhe organizimi për ndeshjen Slloveni–Kosovë, e cila nis në orën 20:45 dhe është vendimtare për kualifikimet e Botërorit 2026.

Organizatorët kërkojnë që tifozët e Kosovës të mbërrijnë më herët në stadium, pasi dyert hapen që nga ora 18:45. Shmangia e tollovisë është prioriteti kryesor, sipas njoftimit të Federatës Sllovene.

Por paralajmërimi më i rëndësishëm lidhet me simbolet kombëtare. Sipas njoftimit, tifozët e Kosovës lejohen të mbajnë flamujt dhe simbolet e tjera vetëm në sektorin D, i cili është caktuar për “Dardanët”.

Nëse tifozët paraqiten me flamuj dhe simbole në sektorët A, B dhe C, do t’u refuzohet hyrja.

“Në atë rast, do të kenë mundësinë të dorëzojnë sendet në një hapësirë të posaçme dhe pastaj të tentojnë hyrjen sërish”, thuhet në njoftim.

Në Slloveni ka interesim të madh të tifozëve kosovarë, përfshirë komunitetin që jeton aty. Madje është paralajmëruar se stadiumi me 16 mijë vende do të jetë i dominuar nga tifozët e Kosovës.

Me një barazim, Kosova siguron plejofin për Botërorin 2026.