Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur pas ndeshjes me Romën për “Sky Sport”, për “DAZN” dhe në konferencë për shtyp. Dhe në të tri rastet e ka përmendur Edon Zhegrovën. Është fokusuar në aspektin e lojës në të cilin duhet të përmirësohet ylli kosovar, përkatësisht në anën defanzive.
Juventusi të shtunën mbrëma fitoi 2:1 ndaj Romës në kuadër të xhiros së 16-të të Serie A. Zhegrova luajti prej minutës së 61-të. E zëvendësoi Francisco Conceicaon të lënduar. Portugezi e shënoi golin e parë në minutën e 44-t. Golin e dytë për Juven e shënoi Lois Openda në minutën e 70-të. Dhe goli u shënua pas një krosimi të Zhegrovës nga krahu i djathtë.
Megjithatë Zhegrova në minutën e 75-të e humbi topin dhe Roma shënoi golin për 2:1. Dhe pikërisht për këtë moment ishte analiza e Spallettit për lojën e kosovarit.
“Ka momente kur jemi në telashe dhe humbim topa të rrezikshëm. Dhe kur duhet të mbrohemi është e vështirë”, ka thënë Spalletti. “Zhegrova është lojtar që nuk mundet dhe nuk di si ta bëjë këtë. Por nëse mund ta vendosësh në pozicion që të luajë një kundër një, ai bëhet vdekjeprurës”, ka vazhduar trajneri i Juves.
Ai ka shtuar se me skuadrat që kanë ekuilibër në fushë, si Roma, ana defanzive është vendimtare. Ka thënë se Kenan Yildiz dhe Conceicao kanë anën defanzive.
“Zhegrova nuk mund ta bëjë këtë. Nëse mund ta sjellim në situatë një kundër një 20 metra nga vija anësore, atëherë është thelbësore. Problemi është gjithmonë i njëjtë – nëse mund ta mbajë topin për 20 metrat e fundit, kaq. Nëse nuk mundemi, paguajmë çmimin”.
Tërheqja prapa e skuadrës është e rëndësishme për Spallettin.
“Zhegrova e ka bërë këtë, por ai kurrë nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë vazhdimisht. Ai bëhet lojtar i lëngshëm në mbrojtje, nuk i ka këto karakteristika. Ndonjëherë duhet të kapesh për fanelle të kundërshtarit, ata gjithnjë të vendosin në një pozicion ku duhet ta kesh kundërshtarin në shpinë”.
Spalletti thotë se prej Zhegrovës nuk mund të kërkohet të luajë në mbrojtje “pasi ai nuk mund ta bëjë këtë. Ai nuk di kur të sulmojë kundërshtarin, kur të shtyjë. Dhe Roma ekspozon këto dobësi”.
Megjithatë Zhegrova ka fituar më shumë minuta këtë herë dhe Juventusi fitoi. Juve tani i ka 29 pikë në vendin e pestë. Ngadalë po përfshihet në garë për titull të kampionit, pas startit më të zbehtë.
