Mbrojtësi i Tottenhamit, Djed Spence, bëri histori të martën mbrëma kur hyri si zëvendësues në Beograd në ndeshjen e Anglisë ndaj Serbis.ë Ai është bërë lojtari i parë i besimit islam që luajti për përfaqësuesen e të rriturve të Anglisë, shkruan “Reuters”.
Spence 25-vjeçar, e zëvendësoi Reece Jamesin e Chelseat në minutën e 69-të të fitores 5:0 të Anglisë.
“Isha i befasuar pasi nuk e dija që isha i pari, kështu që është bekim”, ka thënë Spence, i lindur në Londër.
“Është mirë të bësh histori dhe shpresoj se do t’i motivojë fëmijët rreth botës që edhe ata mund t’ia dalin. Ata mund ta kenë atë që e kam unë”.
Debutimi i Spence paraqet një moment të rëndësishëm për myslimanët britanikë, që prezentohen shumë pak në futbollin profesionist, ndonëse përbëjnë 6 për qind të popullatës.
“Është moment i festës për myslimanët britanikë”, ka thënë Ebadur Rahman, themelues i organizatës "Nujum Sports", që përkrah më shumë se 400 sportistë myslimanë.
“Djed ka përgjegjësi të madhe, jo vetëm pse luan për Anglinë, por pasi ai po luan për myslimanët përreth botës. Ai tani është model dhe po kalon një barrierë”.
Spence e nisi karrierën profesionale në Middlesbrough, para se t’i bashkohej Tottenhamit në vitin 2022.