Futboll

Suedia ende shpreson për vendin e dytë

Suedia

Përzgjedhësi i Suedisë në futboll, Jon Dahl Tomasson, e nisi konferencën për shtyp para ndeshjes me Kosovën duke u arsyetuar për nisjen jo të mirë të kampanjës kualifikuese për Kupën e Botës 2026. 

Danezi Tomasson ka thënë se të gjithë te Suedia, përfshirë edhe vetë atë, nuk e kanë menduar nisjen e kualifikimeve në me një barazim e dy humbje. Por ka shtuar se janë të vetëdijshëm që vendi i dytë është ende i arritshëm. 

Humbja 2:0 në shtëpi nga Zvicra të premten, i ka goditur rëndë suedezët. Ka pasur kritika të shumta për selektorin Tomasson, e për disa prej futbollistëve. Dhe suedezët tani kërkojnë të reagojnë. 

Ndeshja Suedi – Kosovë luhet të hënën nga ora 20:45. 

“Si trajner nuk mund të flesh. Ka qenë një natë e gjatë pas disfatës, por më pas nis të mendosh për ndeshjen e ardhshme. Presioni gjithmonë është i pranishëm, por ky është futbolli”, ka thënë Tomasson të dielën në konferencën për shtyp. 

“E kuptoj se tifozët janë të dëshpëruar. Futbolli është me plot emocione dhe audienca e dëshiron më të mirën për ne”. 

Të gjithë lojtarët e Suedisë do të jenë të gatshëm për lojë, kanë njoftuar mediumet në këtë vend. Viktor Johansson do të jetë në portë, ndërsa Viktor Gyokeres dhe Alexander Isak – të dy të pranishëm në konferencën për shtyp të dielën – do të jenë titullarë po ashtu. 

“Ne lojtarët e kemi të qartë dhe jemi vetëkritikë pas ndeshjeve të cilat nuk i fitojmë apo nuk paraqitemi mirë. Unë i dëgjoj gjithë lojtarët kur bisedojnë pas ndeshjeve jo të mira. E shohim veten në pasqyrë”, ka thënë Isak. 

Edhe Gyokeres nuk ishte i lumtur me fillimin e kualifikimeve. 

Suedia është në pozitën e fundit të Grupit B me një pikë. Para Suedisë është Sllovenia me dy pikë, kurse Kosova ka katër pikë në vendin e dytë. E para është Zvicra me nëntë pikë nga tri ndeshje të luajtura. 

“Në disa ndeshje nuk i kemi zgjidhur mirë situatat dhe mendoj se kjo nuk është mënyra se si ne luajmë”, theksoi Gyokeres. 

Kjo është hera e parë prej vitit 2009 që përfaqësuesja e Suedisë luan ndeshje zyrtare në stadiumin

“Ullevi” në Goteborg. Suedia e kishte fituar ndeshjen ndaj Maltës me rezultatin 4:0. 
Në Suedi kanë raportuar se stadiumi me 37 mijë tifozë do të jetë i mbushur plot.