Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani mund të transferohet në këtë afat kalimtar tek Union Berlini.
Të mërkurën gazeta e madhe gjermane, Bild, ka shkruar se Asllani është sulmuesi i preferuar i Union Berlinit.
Berlini e ka sulmin e dytë më të zbehtë në Bundesligë dhe drejtuesit e klubit synojnë përforcime. Union Berlini aktualisht është në vendin e 13-të në elitën gjermane. Lojtarët e kësaj skuadre i kanë shënuar vetëm 16 gola në 18 ndeshje. Më pak gola ka vetëm St. Pauli – 14.
Për Asllanin do të ishte kthim te Berlini, ku qëndroi nga viti 2016 deri në vitin 2020. Më pas vazhdoi karrierën te Hoffenheimi, ndërsa aktualisht është i huazuar tek Elversbergu në Bundesliga 2.
Për Kosovën, 22-vjeçari i ka pesë ndeshje.
Tek Elversbergu po kalon formë të lartë. Ka dhjetë gola e gjashtë asistime në 18 paraqitje.
Sipas Bildit, Berlini tashmë ka arritur marrëveshje me Asllanin dhe Hoffenheimin. Ka mbetur që të arrihet marrëveshja me Elversbergun.
Për Asllanin po interesohen edhe skuadra tjera gjermane.